Ballina Dossier “Problem i madh uji, por ishte jetesë unike” – Rrëfimet e atyre...

“Problem i madh uji, por ishte jetesë unike” – Rrëfimet e atyre që jetuan para ’90 në Sazan, pse Enver Hoxha thoshte “kemi çelësin e Otrantos”

36
0

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.

Në ishull asokohe ishin vendosur kryesisht anijet katera siluruese, artileria bregdetare etj.

Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për ushtrinë në rast lufte.

Për këtë arsye njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar si dhe kanalin e Otrantos.

Është kjo arsyeja pse Enver Hoxha e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por edhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme se “çelësat e Otrantos i kemi ne”.

Pas rënies së komunizmit në 1992, pas 5 vitesh, në 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare.

Në vitin 2009, pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull, forcat detare italiane largohen nga Sazani, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare do vazhdojë të shërbejë akoma si bazë detare.

Ish-banorët e ishullit: Jeta jonë në Sazan…

Të japësh një panoramë të plotë për ishullin e Sazanit, duhet të gërmosh në arkiva, që nga historia e hershme, për të mbërritur në dëshmitë e njerëzve që kanë jetuar e punuar atje në kohën e socializmit në bazën ushtarake detare, të cilët, siç thonë, ruajnë kujtime të bukura dhe mbresëlënëse.

Ata kujtojnë një qytet i vogël të ngritur aty me të gjithë infrastrukturën e domosdoshme që ka një qendër banimi, me lokale shërbimesh dhe objekte të tjera social-kulturore. Në këtë qytet në mes ujërave të thella të Adriatikut, jeta bëhej njëlloj si kudo në qytetet e tjera të Shqipërisë. Kishte shoqëri të ngushtë, dasma, vdekje.

Për të thënë të vërtetën, thonë ata, jeta në ishull ishte e vështirë. E para, se ishe i izoluar, kishe ndonjë hall a fatkeqësi në tokë, do të prisje kur të nisej anija (luftarake), që nisej vetëm dy herë në javë për në Vlorë.

Po kështu kur kishte ndonjë urgjencë do të ngrije në këmbë të gjithë ishullin, do merrej leje për lëvizjen e mjeteve deri në ministri, por edhe deti mund të ishte me dallgë. Vështirësi kishte edhe me ujin, ai vinte me autobote dhe përdorej me kursim, sidomos për të larë.

Lamtumirë Sazan!

Në shënimet e detarit të vjetër ushtarak, Diogjen Gjergji, gjejmë këtë fragment ditari, ku ai flet për largimin e një pjese të efektivit dhe të teknikës luftarake nga ishulli, në të cilin duken vlerat e një shoqërie dhe komuniteti të bashkuar mes vështirësish dhe sakrificash si pune dhe jetese. Ja ç’shkruan ai ndër të tjera:

“…Më 3 janar 1965, do të largoheshim përfundimisht nga ishulli i Sazanit. Në mbrëmje vijnë në anijen time Robert Bali, Kristaq Çito e më vonë Perikli Xhixho, pasi ata duke u gdhirë e nesërmja, do të niseshin për Durrës. Vjen edhe Paskal Kote e Mihallaq Papadhopuli për t’u takuar, për t’u ndarë. Kur afroi koha që do të iknin, Perikliu më thotë: Dhiogjen, kurrë nuk të harroj. Fillova të qaja si fëmijë. Berti e Kristaqi më pushtuan si ata. Dëgjova Kristaqin që tha: Lëreni, ka të drejtë! Në atë moment erdhi edhe Polo Guga, pa gjithë skenën e më tha: Po, ti ç’ke, në Flotë do jemi! Do të takohemi prapë.

U ndava me ta me mall e me emocion të madh. Pas orës 24:00 të asaj nate, jepet sinjali i përgatitjes së anijeve që do të shkonin në Durrës. Të gjithë u zgjuan, kuadro e detarë edhe të anijeve që do të ngeleshin në Sazan. Askush nuk shkoi në shtëpi. Do përcillnim shokët e anijet, të cilët do të shkonin në një bazë detare, në bregdetin e atdheut.  Dolën me radhë nga baza: minaheqësja, dy gjuajtësit detarë, dragaminat, katerat silurues…

Baza dhe vetë ishulli i Sazanit u duk sikur u lëkundën e lëvizën nga vendi. Buçiti ai ishull nga sirenat dhe fishekzjarrët (raketat shenjëdhënëse). Ishin momente prekëse. Sazanit, iu shkëput nga trupi i tij, një pjesë e mirë, prandaj dhe u duk se ra tërmet disa ballësh. Momente ndarjeje mjetesh e njerëzish. I gjithë ishulli, reparte e familje në këmbë, shikonin këtë largim historik e përcjellje të karvanit detar drejt veriut, i cili tashmë qe vendosur në formacion lundrimi të përbashkët. Ato lundruan derisa ne nuk i dallonim më. Lundrim të mbarë, shokëve tanë! Lundrim të mbarë, anijet tona!

U ndamë, por shoqëria mbeti e paprekur. Përsëri na dukej sikur ishulli rënkonte së bashku me grykën e Xhehnemit, atë të Arushës, shpellës së Haxhi Alisë dhe i tërë gjiri i Vlorës për atë largim. Edhe lepujt e famshëm të Sazanit kishin lënë strofullat e tyre dhe shikonin këtë skenë të papërsëritshme. Shikonin ato “gjemi” që lundronin drejt veriut, në Detin Adriatik…” (DITA)