Nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij para demokratëve të Dibrës, sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.
Ai tha se me paratë e korrupsionit që duhet të shkonin te Rruga e Arbrit, ministrja Belinda Balluku mbronte shpatullat nga dy njerëz, Evis Berberi, kreu i ARRSH që ndodhet pas hekurave, dhe drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi. Sipas Bardhit, këta dy zyrtarë kanë mbledhur vota përmes korrupsionit në zonën e Dibrës për Ballukun.
“Një tjetër leksion që kemi marrë nga Dibra dhe u përpoqëm që ta bëjmë realitet, ishte nevoja për bashkim. Sa herë që keni qenë të bashkuar, e keni mundur PS. Lajmi i mirë për demokratët e Dibrës dhe të gjithë demokratëve në mbarë Shqipërinë, është që pas 2 vitesh, PD është më e bashkuar dhe më e fortë, gati për t’u përballur me betejën për zgjedhjen e 2025-ës. Nëse do të shihni qeverisjen e Ramës, shikoni Rrugën e Arbrit. Rruga është gjysmë e shkatërruar, dhe e painuguruar. Paratë shkojnë te xhepat e ministrave dhe drejtorëve, që më pas me paratë e korrupsionit, vinë dhe blejnë qytetarët. Shembullin e keni në 14 maj. Kush ishin dy njerëzit që mbulonin shpatullat e Belinda Ballukut? Evis Berberi, që nuk ka lënë derë pa blerë vota dhe Ceno Klosi, i pari i Tatimeve, që do të ketë fatin e atij të parit. E ka vendin në burg. Ky është modeli që ka ngjallur Edi Rama. Skemën e ndihmës ekonomike në disa raste mund ta përdorë dhe për blerje votash, por varfëria është shtuar.”, tha Bardhi.