Ballina Politika Deputetët e PDIU-së takime në Ҫamërinë e Italisë, Idrizi: Politika shqiptare të...

Deputetët e PDIU-së takime në Ҫamërinë e Italisë, Idrizi: Politika shqiptare të kërkojë ndjesë për heshtjen e saj ndaj plagës çame

40
0

Një grup i deputetëve të PDIU-së i kryesuar nga kryetari Shpëtim Idrizi pati një vizitë dyditore në qytetin Gorizia të Italisë, ku u takuan me përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal. Në takimin merrnin pjesë kryetari i bashkisë së Gorizia, Rodolfo Ziberna, senatorja e Fratelli d’Italia për rajonin, Francesca Tubetti dhe përfaqësues të shoqatave italiane, presidenti i Associazione Nazionale Friulli Venezia Giulia e Dalmazia(ANFVGD) Renzo Codarin dhe përfaqësuesi i shoqatës Federsuli, Stefano Nedoh.

Këto shoqata janë krijuar nga masakra e 6000 personave, që njihet si masakra e Foibe dhe shpërngulja me dhunë e 350.000 italianëve nga komunistët Titistë në Slloveni dhe Kroaci. Gjatë takimit u nënvizua ngjashmëria e problematikës mes çështjes çame dhe asaj të italianëve të shpërngulur me dhunë dhe masakruar nga komunistët e Titos në vitet 45-46.

“Deklarata e kryeministres Meloni e cila kërkoi falje për heshtjen e politikës italiane përgjatë gjithë këtyre viteve tërhoqi vëmendjen time mbi këtë tragjedi, që është e njëjta që kemi vuajtur ne shqiptarët e Ҫamërisë.
Me të njëjtën kurajo shpresoj që politika shqiptare të kërkojë ndjesë, për heshtjen e saj ndaj plagës së Çamërisë dhe në emër të tyre ne duhet të vazhdojmë të ngremë zërin e të themi të vërtetat tona si popullsi e martirizuar”, tha Idrizi.

Me përfaqësuesit e shoqatave ANFVGD dhe Federsuli u ra dakord të institucionalizohet bashkëpunimi me Shoqatën Patriotike “Ҫamëria”. Njohja reciproke e historisë, pasojat e saj, që i vazhdojnë efektet edhe sot, mbështetja reciproke janë një bazë e mjaftueshme që të fillojë institucionalizimi i bashkëpunimit.

Deputetët e PDIU-së zhvilluan një takim edhe në bashkinë e Gorizias ku kryetari i bashkisë z. Rodolfo Ziberna dhe senatorja për mirëqenien Silvana Romano, pritën deputetët. Gjatë takimit u theksua rëndësia e Italisë si vend mik e partner strategjik i Shqipërisë si dhe u nënvizua roli i rëndësishëm dhe pjesmarja e diasporës së re shqiptare në këtë bashki. Kryetari i bashkisë Ziberna, ftoi ansamblin “Ҫamëria” të bëhej pjesë e aktiviteteve kulturore të qytetit shtatorin e ardhshëm.