Ballina Kosovë Nesër seancë e jashtëzakonshme, Kosova optimiste për Këshill të Evropës. Serbia dorëzohet:...

Nesër seancë e jashtëzakonshme, Kosova optimiste për Këshill të Evropës. Serbia dorëzohet: Kosova i ka votat

57
0

Të mërkurën nga ora 14:30 në Paris mbahet seanca e jashtëzakonshme e cila Republikës së Kosovës mund t’ia hapë përfundimisht rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, i Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës ka 85 shtete anëtare.

Varësisht nga numri i pjesëmarrësve, për votim duhet shumica e thjeshtë apo 50% e votave.

Delegatët në duar do ta kenë raportin 26 faqësh të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili i rekomandon Këshillit të Ministrave pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Nga Ministria e Jashtme janë optimist se nga kjo seancë do të vijnë lajme të mira.

Për të ardhur në këtë pikë është dashur të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit dhe jo vetëm.

Raportuesja Bakoyannis ka pranuar edhe një letër nga krerët e shtetit, Osmani, Konjufca dhe Kurti, të cilët ndër të tjera janë zotuar se i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit sa më shpejt që është e mundshme.

Kjo letër sipas zëvendësministrit, Kreshnik Ahmeti, është procedurale dhe nuk nënkupton parakushte.

“Ajo ka të bëjë siç do ta shohin të gjithë kur të bëhet raporti publik, me marrëveshjen e Brukselit të 27 prilli dhe neneve të saj, me marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit ku përfshihet edhe çështja e asociacionit por jo ekzluzivisht siç është paraqitur në media me asociacionin e aq më pak si parakusht. Asambleja parlamentare thotë se më nuk ka kushte para anëtarësimit për Kosovën”, tha Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

Ahmeti beson se faza e parë do të përfundojë para 18-19 prillit kur do të duhet që të votohej në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këtu duhen 2/3 e votave, nga 320 delegatë nga 46 shtete.  Pas këtij niveli hapi i fundit është Komiteti i Ministrave, ku prapë duhen 2/3 e votave. Edhe për këtë periudhë, Ahmeti thotë se po lobojnë, por nuk mund të thonë se gjithçka është e garantuar sepse varet nga vullneti i shteteve anëtare.

“Dhe në rastin më të mirë Kosova do të bëhet anëtare në maj të këtij viti, pra përgjatë Ministerialit, miniterialet e rregullta mbahen një herë në vit, ato mund të thirren edhe të jashtëzakonshme, përbrenda kësaj periudhe”, shtoi Ahmeti.

Shefja e delegacionit serb në Asamble, Biljana Pantiq-Pilja, po thotë se shteti i saj zor se mund të bëjë diçka për të penguar hyrjen e Kosovës në këtë organizatë. Ajo kishte akuza në adresë të raportueses.

“E rëndë është hapësira për të manovruar, është në fakt fort e ngushtë. Kështu që të mërkurën do të jetë diskutimi dhe zonja Bakoyaniss do ta prezantoj raportin e saj. Në fakt qëndrimin e saj që e ka ndryshuar për fat të keq, nga ai që e kishte para dy javësh. Më pas vjen diskutimi dhe pritet votimi. Duhet 2/3 sikur per kuorum ashtu edhe për të votuar këtë raport. Për fat të keq pjesë e Asamblesë Parlamentare të KIE-së, nuk është delegacioni nga Rusia e nga janari as ai Azerbajxhanit”, tha Pantiq-Pilja.

Pantiq-Pilja, thotë se ka vota që Kosova të kaloj këtë fazë drejt hyrjes në KIE, edhe nga shtetet mosnjohëse, anëtare të kësaj trupe që ka selinë në Strasburg.

“Keni deputetin nga Rumania, vend ky që nuk e ka pranuar Kosovën e pavaruar, por ky deputet është avokues që Kosova të jetë e pavarur dhe ai plotësisht e mbështet që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

Serbia, ka dhënë paralajmërime të forta se po e konsideron largimin nga Këshilli i Evropës, në rast se aty anëtarësohet Kosova.