Ballina Politika “Gazment Bardhi, funksionar në dy parti rivale”/ Mërtiri: Po kërkon të marrë...

“Gazment Bardhi, funksionar në dy parti rivale”/ Mërtiri: Po kërkon të marrë legjitimitetin e PD

46
0

Analisti Ergys Mërtiri thotë se Gazment Bardhi është politikani i vetëm në botë, i cili është funksionar në dy parti rivale, PD zyrtare, e cila është legjitime dhe Rithemelimi, e cila nuk është legjitime.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Mërtiri u shpreh se Bardhi po kërkon të marrë legjitimitetin e PD zyrtare.

“Unë mendoj që shtyrja e procesit favorizon gjithmonë, ata të cilët unë mendoj që nuk e kanë të drejtën. Unë mendoj që këtu favorizohet Gazment Bardhi, favorizohet Foltorja. Që në vendimin e Zhukrit, Sali Berisha ka fituar kohë dhe e ka përdorur këtë kohë për të marrë strukturat e partisë, për të rritur fuqinë e vet brenda partisë dhe për të zvogëluar tjetrin. Nga vendimi i Zhukrit deri në zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha arriti ta shtjerë në dorë një pjesë të madhe të partisë, madje Bardhin dhe të ketë Grupin e saj Parlamentar. Kjo i jep kohë Sali Berishës të grumbullojë fuqitë e veta në kohën kur është i izoluar në ballkon.

Ka shumë elementë qesharakë.. Është i vetmi rast në botë ku Gazment Bardhi është në dy gjyqe njëkohësisht. Bardhi, në momentin kur ishte me Bashën, ka hedhur në gjyq Sali Berishën. Nga ana tjetër, Gazment Bardhi ka hedhur në gjyq Lulzim Bashën, se kush do e fitojë gjyqin për vulën. Në mes këtyre dy gjyqeve, Bardhi ka shkuar nga PD zyrtare te partia ilegjitime që është Foltorja e Berishës. Ka një absurd. Bardhi ka ikur nga partia me vulë dhe është bërë nënkryetar te partia ilegjitime. Këtë legjitimen ku ai ishte Sekretar i Përgjithshëm, kërkon t’i marrë vulën dhe t’ia japë atij. Bardhi është funksionar i lartë në dy parti të opozitës.

Ai sigurisht që e kërkon për vete, por ai nuk ka një parti të vetën. Ai është tek Rithemelimi në sajë të Sali Berishës. Ai kërkon të shfrytëzojë faktin që Berisha është i izoluar. Unë mendoj që sado që zoti Bardhi ta pretendojë, ai nuk mund të marrë asnjë nga partitë. Njerëzit që janë tek Rithemelimi, bëjnë atë që është vullneti i zotit Berisha. Kjo e bën Bardhin të luajë me dy porta. Bardhi mund të pretendojë më së shumti, që të bëhet pasardhës i zotit Berisha”, theksoi ai