Ballina Opinion Nëse bie Gjykata Kushtetuese

Nëse bie Gjykata Kushtetuese

16
0

Nga Edvin Kulluri

Dy ditë më parë, Holta Zacaj,  Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ne një intervistë për një të përditshme është shprehur tekstualisht se “mos-zbatimi I vendimit të GJK për mandatin e ish ministers Olta Xhacka është një situatë e pazakontë dhe e pamendueshme në një sistem demokratik”. Ky konstatim është një nga ato sentencat e rënda të 33 viteve pluralizëm të lodhshëm deri në rraskapitje. Ose e thënë ndryshe, një nga pikat më të ulëta të cënimit të sistemit demokratik. Për më tepër në një vënd që kemi parë e dëgjuar lloj-lloj marrëzish të paktën që nga viti 1996. Por pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998, shpresa se nga rrumpalla e viteve të para të demokracisë, do kalohej në një stabilitet institucional, ka qënë jo vetëm një mundësi, por edhe realitet në momente të caktuara.

Ajo c’ka e bën të rëndë këtë deklaratë është dhe fakti se pas 33 vitesh kthehemi sërish në të njëjtën pikë. Dhe prej kujt? Partisë Socialiste që miratoi atë Kushtetutë, e më këq akoma që drejtohet nga Rama, ish kundërshtar I ashpër I arbitratritetit të PD dhe Berishës në vitet 1992-1997. E nëse cështja do kufizohej vetëm në rastin Xhacka, mund ta konsiderojmë dhe një “incident të izoluar”. Por jo. Sepse dy vendimet e GJK në lidhje systemin zgjedhor të shtyjnë drejt përfundimit se kjo është një trajektore e qarte dhe jo thjeshtë një “incident kushtetues”. Është një vijë sjelljeje politike e qartë dhe e përcaktuar politikisht. Dhe nuk ka rëndësi as momenti tejet I vështirë me të cilin mazhoranca po përballët me SPAK. Tek e fundit kjo situatë është një moment politik, që në fund të ditës nuk mundet e as duhet të cënojë rendin kushtetues. Sepse rendi kushtetues qëndron mbi mazhorancën, opozitën e aq më shumë mbi personat politikë kushdo qofshin ata.

Nëse themi që liritë dhe të drejtat e individit garantohen nga kushtetuta dhe ligji, deklarata e Holta Zaces është një ulërimë që duhet të shkundë institucionet, partitë, mediat dhe në tërësinë e vetë shoqerinë. Por praktikisht  cfarë ndodh? Ca e kanë mëndjen tek “dardhat”, ca tek “ballkoni”, e të tjerët kush e di se ku! Dhe absurdi I sjelljes së aktorëve politikë arrin deri aty sa ti quajnë 2 vendimet e GJK për sisetmin zgjedhor si “hall I partive të vogla”. Por ama, po ata që mburren për demokraci, progress, luftë me rregjimin etj., janë fshehur pas retorikave të kota e intrigave politike të momentin duke përdhosur “kontratën sociale”, ose dokumentin themeltar të shtetit që na mban bashkë në të njëjtën shoqeri. Kushtetun e Republikës së Shqipërisë. Të vetmen garanci që ndan arbitraritetin nga liria, ligjin nga gjendja natyrore e kaosit, civilizimin nga barbaria. Po, po. Civilizimin nga barbaria. Sepse shkelja e hapur e kushtetutës nuk është gjë tjetër vecse një gjuhë barbare politico-juridike ndaj thelbit demokratik të sistemit. Ndarjes së pushteteve si garancia kryesore që qeveria apo individë fuqishëm mos tu kërcejnë mbi kurriz qytetarëve kur e si të duan.

Që ndryshimet e vitit 2008 e dobësuan kontrollin e pushteteve është e qartë. Që kodi zgjedhor I po atij viti I vuri dërrmën më keq akoma sistemit demokratik është një aksiomë. Cështja është se nuk ka asnjë reagim përvecse nga Partia Demokratikë dhe një dyzinë partishë të vogla parlamentare dhe jo-parlamentare . Jo se kjo mjafton, pasi listat e hapura janë vetëm njëri nga mekanizmat për të na kthyer drejt normalizimit demokratik. Centralizimi I pushtetit duhet goditur që nga rishpikja e Parlamentit dhe Presidentit e deri tek një reformim themelor I qeverisjes vendore, aty ku njerëzit e prekin drejtëpërdrejtë materializimin e vullnetit të tyre të lirë. Por të paktën kjo përpjekje është një pikënisje të cilën dy kryetarë partishë e nja gjashtë deputetë listash të mbyllura, duan ta varrosin me një shpikje alla shqiptare: nënkomision reformash për ligje me shumicë të cilësuar. E për ti vënë kapakun përpkjekjes për të mbytur lirine, I këpusin dhe një dashuri në kohërat e kolerës Rama-Berisha që as Erjon Brace e Cim Peka nuk po e ftillojne dot.

Emri i Holta Zaces mbase publikut nuk I thotë gjë pasi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk është as rock star e as banore e Big Brother e aq më pak Armando Broja. Por një gjë është e sigurt. Është njeriu që qëndron në majën e garancive kushtetuese të sistemit demokratik. Ndaj duhet dëgjuar me dhimbje se c’alarm ka ngritur pavarësisht nga normaliteti I fjalorit që ka përdorur. Pasi në atë intervistë vetëm normalitet nuk ka, por një këmbanë alarmi që po nuk u dëgjua do vërë poshtë ekuilibrat politikë dhe social të një vendi që “greminat”  I njeh mirë. Pikërisht  për faj të vetë shiptarëve,  e jo partnerëve të huaj që na kanë zënë për bishti e na kanë tërhequr bash kur kemi qënë duke rënë poshtë. Sa për kujtëse në 1997 diktaura komuniste për pak sa na u duk si një kohë e paqtë.  Ndaj dallimi mes Holtës dhe Oltës është më shumë se dramatik.