Ballina Opinion Përralla e BIRN për dezinformimin – As e kuptojnë pse bëhet

Përralla e BIRN për dezinformimin – As e kuptojnë pse bëhet

21
0

Nga Baton Haxhiu

Një nismë e socialistëve në Parlamentin shqiptar për të ngritur një Komision kundër dezinformimit është pritur pa shumë bujë e zhurmë.

Një artikull i publikuar nga BIRN (Rrjeti i Reporterëve Investigativë në Ballkan), duket se e “çmitizon” madje krejtësisht nismën.

Aty flitet për një mungesë të theksuar të problematikave të dezinformimit në Shqipëri, për dizinteresim nga Kina apo Rusia për ndërhyrje në Shqipëri përmes dezinformimit.

Artikulli përflet më tej faktin se problemet reale janë ato që duhet të trajtohen, ku përmenden kryesisht arrestimet e bujshme nga SPAK mes zyrtarësh, a thua se këto nuk janë tendenca kryesore e diskutimit ditor mediatik në vend.

Duhet kuptuar gjithsesi se dezinformimi dhe ndërhyrjet e sponsorizuara nga elementë shtetërorë dhe joshtetërorë është linja e re e frontit mes Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë luftë, Perëndimi është në një fazë mbrojtëse.

Lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, të sponsorizuar nga elemente shtetërore dhe jo shtetërore, nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri, nuk nis nga Shqipëria, dhe as nuk përfundon në Shqipëri. Shqipëria është thjesht një nga arenat ku zhvillohet kjo luftë.

Shqipëria në fakt mund të jetë një arenë e vogël, për shkak edhe të elementeve gjeografikë dhe demografikë, por kjo nuk e bën Shqipërinë më pak të rëndësishme.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, dhe një vend që është rreshtuar në tërësi në përpjekjet kundër agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria është rreshtuar po ashtu në tërësi në përpjekjet për të parandaluar rritjen e ndikimit rus në Evropë.

Ndaj, sado e vogël të jetë Shqipëria, në këtë luftë nuk është faktor i parëndësishëm.

Iniciativa parlamentare propozuar nga Partia Socialiste për të luftuar këto aspekte të dezinformimit është në tërësi me shumë një zotim ndërkombëtar që ka marrë Shqipëria.

Është në përputhje të plotë me praktikat e Parlamentit Evropian, dhe në përputhje me “Kornizën Kundër Manipulimit të Informacionit nga Shtetet e Huaja”, të promovuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Shkrimi i BIRN ka edhe gabime faktike. Në BE nuk ndërmerren masa vetëm ndaj BOT-ëve, por ka një përpjekje gjithëpërfshirëse për të parandaluar dezinformimin dhe lajmet e rreme në të gjitha format.

Së fundmi ka bisedime serioze për të gjetur forma konkrete për të mbrojtur të drejtën për informim, të drejtë nga ata që e luftojnë atë duke u thirrur në emër të saj.

BE po flet për krijimin e mekanizmave vetërregullues si dhe për Kod Evropian për praktikat e dezinformimit. Me fjalë të tjera, deshi apo nuk deshi Shqipëria, këto do të vlejnë edhe për Shqipërinë.

Ashtu si, në këtë, Shqipëria, dukshëm do që të mos ketë një fat si fqinjët e saj, të mbytur në fake news me sfond politik jo thjesht pro-rus, por anti-perëndimor.

Gjigandi mediatik CNN e pati publikuar një rast në Veles, qytezë e Maqedonisë së Veriut, ku grupe të strukturuara prodhonin fake news për t’u klikuar nga amerikanët, me qëllim ndikimin në zgjedhjet amerikane.

Ndaj, duke qenë se BIRN shtrihet në gjithë Ballkanin, mund ta kuptojë më mirë – nëse dëshirojnë – kontekstin delikat të epokës së jetuar.

Shqiptarët të paktën, sado periferikë, e kanë të drejtën e tyre të informimit. Por mbi të gjitha duhet të kenë edhe garancinë e luftës ndaj dezinformimit.

BIRN është OJQ kryesore në thithjen e fondeve në emër të përpjekjes për të luftuar dezinformimin. Kjo organizatë ka bërë disa raporte edhe rreth Shqipërisë. Është interesante që në projekt propozim kur kërkohen fonde, BIRN prezanton një pasqyrë tjetër, mos të themi alarmante mbi gjendjen në terren, përfshirë Shqipërinë.