Ballina Aktualitet Dëgjesë publike për planin e menaxhimit të Bylisit/ Tare e Zhupa me...

Dëgjesë publike për planin e menaxhimit të Bylisit/ Tare e Zhupa me kritika: Tjetër rast flagrant sesi tjetërsohen paratë e dhëna nga BE

31
0

Në Tiranë është zhvilluar një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të Bylisit dhe Klosit financuar nga BE, dy zona arkeologjike që parashihet të administrohen me fondacion pavarësisht një propozimi të parë, që sugjeronte menaxhim shtetëror.

Dëgjesa publike u organizua nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa zëvendës minsrja tha se plani i menaxhimit synon zhvillimin e infrastrukturës me qëllim promovimin. Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin Europian, Hubert Perr theksoi se dëgjesa e opinioneve dhe e shqetësimeve ashtu si integrimi dhe dalja me një zgjidhje, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian.

Por për këtë plan ka pasur edhe kritika. Deputetja e opozitës, Ina Zhupa tha se Bylisi ka një rast flagrant sesi tjetërsohen paratë e dhëna nga BE.

“Bylisi ka një rast flagrant sesi tjetërsohen paratë e dhëna nga BE. Ka 900 mijë euro te harxhuara ne rroga, udhëtime, zyra. Ndërkohë janë gati 6 milionë euro për ta nxjerrë Bylisin në pah e për ta bërë një nga pikat me atraktive të Shqipërisë. Por, të përgatisësh dosjen e Bylisit e të mos kesh një fjalë për ta bërë pjesë të Unesco? Kjo tregon se nuk synon njohjen ndërkombëtare të tij”, pohoi Ina Zhupa.

Kritika pati edhe nga eksperti i trashëgimisë, Auron Tare, i cili e krahasoi planin për Bylisin me menaxhimin e Butrintit , ku tha se është modeli i sjellë nga ministria është i dështuar

“Kam një pikëpyetje të madhe se si me atë kontribut financiar, kemi plan menaxhim të cektë dhe të mangët. Fakti që ju vini e propozoni një menaxhim të drejtpërdrejtë, pa e argumentuar. Përshembull, modelet që sillni ju, si ai i Stonehenge është model i dështuar”, tha Tare.

Arkeologu Neritan Ceka, që është edhe një nga autorët e planit të menaxhimit, pati dy qëndrime, kontradiktore. Një në fillim si autor i planit dhe një në fund ku e kritikoi planin dhe paralajmëroi bojkot.

“Puna që do paraqitet nga kolegu, është bërë përveç meje nga një ekip që kanë bërë 7 nga 9 kapitujt e këtij dokumenti që është publikuar nga Ministria e Kulturës”, -tha ai në fillimin.

Ndërsa në fund shtoi; “Unë me këtë lloj plani menaxhimi të jeni të sigurt se arkeologët shqiptarë nuk bashkëpunojnë dhe po ua them në mënyrë përfundimtare”. Fokusi i takimit shkoi për Bylisin duke e lënë disi në hije Klosin dhe të ardhmen e tij.