Ballina Kulturë Festivali Europian i Këngës 2024: Jo edhe aq apolitik

Festivali Europian i Këngës 2024: Jo edhe aq apolitik

24
0

Megjithëse Eurovizioni pretendon gjithnjë se është vetëm një event kulturor, shpesh ngarkesa politike e festivalit është qartësisht e dukshme. Është një pyetje që bëhet here pas here: Eurovizioni është politik, apo jo?

Unioni Europian i Radio-Televizionit (EBU), i cili organizon konkursin, ka përsëritur gjithmonë se festivali është vetëm një ngjarje kulturore pa vend për politikë. Rregullat e tij thonë qartë se deklaratat politike apo edhe sloganet nuk lejohen në konkurs.

Ky rregull mund të jetë veçanërisht i vështirë për t’u zbatuar sivjet.

Pas sulmeve terroriste të Hamasit në tetor 2023 dhe luftës së vazhdueshme Izrael-Hamas, Izraeli është kritikuar për efektet e fushatës së tij ushtarake ndaj popullsisë civile në Gaza.

Izraeli ka marrë pjesë në Eurovizion plot 51 herë, kështu që nuk është hera e parë që konflikti i Lindjes së Mesme vihet në qendër të vëmendjes në këtë event.

Në vitin 1973, këngëtarja Ilanit ishte artistja e parë nga Izraeli që performoi nën masa të rrepta sigurie. Një vit më parë, terroristët palestinezë kishin vrarë 11 atletë izraelitë në kompleksin Olimpik në Mynih. Ilanit kishte veshur një jelek mbrojtës, publiku duhej të qëndronte ulur gjatë performancës së saj dhe fotografëve iu desh të bënin fotografi drejt tavanit për të vërtetuar se kamerat e tyre nuk ishin armë të fshehura zjarri.

Si Izraeli ndryshoi titullin e këngës për 2024

Nën mbrojtje të posaçme do të performojë edhe  kandidatja izraelite e këtij viti, 20-vjeçarja Eden Golan. Në fillim të vitit, disa vende pjesëmarrëse kishin kërkuar nga organizatorët që Izraeli të përjashtohej nga konkursi ndërsa lufta vazhdonte.

Dhe thuajse ndodhi, por jo si reagim i drejtpërdrejtë ndaj thirrjeve për bojkot. Sipas organizatorëve, titulli origjinal i këngës izraelite, “October Rain”, i kujtonte shumëkujt sulmet e 7 tetorit. Titulli u ndryshua dhe Golani u pranua. Megjithatë, protestat nuk kanë pushuar.

“Eurovizioni i konsideron ndjenjat dhe opinionet e forta që ka ngjallur festivali i Këngës Europiane këtë vit, ndërsa ne përballemi me luftën e tmerrshme në Lindjen e Mesme”, thanë organizatorët në një deklaratë, duke shtuar se roli i tyre është vetëm përgjegjës për pranimin e Izraelit, jo për artistin apo përmbajtjen e këngës. Golan po udhëton në Malmo, Suedi “për të ndarë muzikën e saj, kulturën e saj dhe mesazhin universal të unitetit përmes gjuhës së muzikës”.

Por Eurovizioni nuk ka qenë asnjëherë apolitik

Festivali i parë i këngës u zhvillua në Lugano, Zvicër në vitin 1956. Në atë kohë, ai ende quhej “Grand Premio Eurovisione Della Canzone Europea” ose shkurt në frëngjisht “Grand Prix”. Qëllimi i festivalit ishte mirëkuptimi ndërkombëtar, bashkimi i vendeve armike të Luftës së Dytë Botërore në një garë miqësore.

Shtatë vende morën pjesë, përfshirë Gjermaninë.

Festivali u rrit nga viti në vit dhe në 1968 kompeticioni pati 17 pjesëmarrës. Atë vit, kishte një mospajtim të qartë, të motivuar politikisht: kandidati spanjoll donte të këndonte në gjuhë katalanisht, gjuhë kjo e shtypur nga regjimi fashist i Francisco Frankos. Një tjetër këngëtar u dërgua në vend të kësaj për të performuar një version spanjoll-anglisht të këngës, të titulluar “La La La”.

Pas ndarjes së Qipros në vitin 1974, Greqia dhe Turqia u bënë armiq. Në vitin 1975, Greqia e bojkotoi Eurovizionin. Turqia bëri të njëjtën gjë në vitin 1976, por megjithatë e transmetoi shfaqjen në televizion. Kur i erdhi rradha Greqisë, shfaqja u ndërpre dhe në vend të saj u transmetua një këngë nacionaliste turke.

Fitorja e Izraelit u hoq nga transmetimi i Jordanisë

Kur u bë e qartë se Izhar Cohen i Izraelit do ta fitonte festivalin e vitit 1978 në Paris, vendi fqinj i Izraelit, Jordania, e mbylli transmetimin.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë në Evropë, këngëtarja e re gjermane Nicole doli në skenë me një kitarë të bardhë, këndoi një mesazh paqeje dhe fitoi konkursin në vitin 1982. Atëherë u ngrit pyetja: a lejohet politika në Eurovizion nëse mesazhi është pozitiv?

Fakti që edhe shoqata e transmetueseve të BE-së nuk ka arritur të qëndrojë gjithmonë apolitike u dëshmua nga përjashtimi i Gjeorgjisë në vitin 2009. Arsyeja: një lojë fjalësh anti-ruse në titullin e këngës “We Don’t Wanna Put In”.

Bjellorusia u përjashtua në vitin 2021 për shkak të mbështetjes së saj të dukshme për presidentin Alexander Lukashenko, i cili ka qenë subjekt i sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Përjashtimi i Rusisë nga Festivali i Këngës Europiane në 2022 ishte një reagim ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

Aleancat Politike midis Jurive Kombëtare

Që nga fillimi, juritë kombëtareshpesh nuk e kanë fshehur simpatinë apo mungesën e saj për shtetet pjesëmarrës, ndonëse kjo nuk kishte të bënte me cilësinë e këngës.

Sigurisht që nuk kishte të bënte me muzikën kur juria kombëtare ruse iu përgjigj performancës së Conchita-s me zero pikë në vitin 2014. Megjithatë, audienca ruse votoi këngën austriake në vendin e tretë dhe Conchita ia doli të fitonte në fund.

Në vitin 2016, Rusia kundërshtoi performancën e “1944” nga pjesëmarrësi ukrainas Jamala, një këngë që ishte evokuese për dëbimin e tatarëve të Krimesë nën Josef Stalin. EBU argumentoi në atë kohë se kënga nuk kishte të bënte me politikën, por me historinë e familjes. Jamala, vetë një tatare e Krimesë, mori në shtëpi trofeun.

Gjobë për flamurin palestinez

Kërkesa dhe slogane nga audienca apo artistët gjithashtu kanë ndodhur herë pas here në festival, dhe janë ndëshkuar.

Në Tel Aviv në vitin 2019, grupi islandez Hatari shfaqi flamurin palestinez gjatë pjesës së votimit të mbrëmjes. Si rezultat, transmetuesi islandez duhej të paguante një gjobë në EBU. Po atë mbrëmje, performanca e Madonës tashmë kishte bërë bujë: një nga kërcimtarët e saj mbante një flamur palestinez, një tjetër një izraelit.

Megjithatë, Malmo ka marrë të gjitha masat që Eurovizioni të zhvillohet pa incidente serioze. Nuk do të ketë fan-zone jashtë ambjenteve të zhvillimit të festivalit dhe prania e policisë do të jetë e shtuar.

Dy demonstrata të mëdha kundër Izraelit janë paralajmëruar për javën e Eurovizionit, e cila fillon më 5 maj dhe përfundon gjashtë ditë më vonë, me finalen e madhe. E ndërsa autoritetet suedeze presin më të keqen, i kanë ndaluar fansat izraelitë të ecin me flamurin e tyre kombëtar. Delegacionit izraelit i është kërkuar që të largohen nga dhomat e hotelit vetëm për prova dhe shfaqje./DW