Ballina Kulturë 75-vjetori i Arkivës Shqiptare, Bido synon platformë unifikuese

75-vjetori i Arkivës Shqiptare, Bido synon platformë unifikuese

23
0

Arkiva Shqiptare feston këtë vit 75-vjetorin, një institucion i rëndësishëm që dokumenton historinë dhe vlerat tona kombëtare. Në kuadër të këtij përvjetori janë organizuar dhe do të organizohen konferenca të ndryshme, ku do të konsolidojnë dhe më tej bashkëpunimet mes arkivit shqiptar dhe atyre të rajonit të Ballkanit dhe Evropës kryesisht juglindore.

Në një intervistë për RTSH24, Drejtori I Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido tha se teknologjitë bashkëkohore në ruajtjen e dokumentacionit dhe modernizimi i shërbimeve arkivore i kanë bërë arkivat shqiptare një institucion modern dhe dinjitoz.

Në këtë 75-vjetor, Bido synon krijimin e një platforme unifikuese të të gjithë dokumenteve mes Arkivit Shqiptar dhe partnerëve të rajonit  dhe më gjerë, ku një studiues të kërkojë dokumente përmes kësaj platforme pas qenë nevoja të shkojë në zyrat e arkivave të vendeve të tjera.

“Në shumë pak kohë synojmë të mund të unifikojmë shërbimin ku një studiues të mund të kërkojë dokument përmes një platforme të përbashkët dhe të mos e dije fare se ai vjen nga arkiva jonë apo e dikujt tjetër, por të ulet në një nga sallat tona dhe t’i ketë të gjitha dokumentet që kërkon përmes kësaj platforme unifikuese”, tha Bido.

Lidhur më shkëmbimin e dokumenteve, Ardit Bido tha se nuk do të ketë më “kërkim të gjilpërës në kashtë”, por përmes një projekti synohet që të mblidhen të gjitha të dhënat për krijimin e pemës gjenealogjike të çdo shqiptari.

 “Duam të mbledhim të gjithë dokumentacion për shqiptarët dhe brenda një periudhe të kemi mundësuar pemën gjenealogjike të gjithë shqiptarëve. Më kërkojnë që duan të dinë kush ka qenë katragjyshi i tyre dhe do i mbledhim të gjithë bashkë dhe të bëjmë pemën gjenealogjike të çdo shqiptari . Ky është një projekt afatgjatë dhe shumë i rëndësishëm i memories sonë historike kombëtare. Do hapim muzeun arkivor në fund të vit, kemi digjitalizimin të arkivave dhe nxitje të studimeve albanologjike”, u shpreh Bido.

Bido vlerësoi bashkëpunimin mes arkivit shqiptar dhe arkivave partnere të tjera, ku si rezultat ka sjellë dhe shkëmbimin e dokumenteve të rëndësishme për historinë tonë kombëtare

“Kemi mbledhur për herë të parë pas 9 vitesh drejtuesit e arkivave të rajonit dhe Evropës juglindore që ne kemi interesa në një forum të zhvilluar më parë. Në këtë takim kemi interesin tonë të parë që është shkëmbimi i dokumentacionit, ku kemi marrë dokumente të rëndësishme jo vetëm për historinë tonë kombëtare por edhe të shumë figurave tona kombëtare. Moldavia dhe Egjipti janë qeverisur për shumë kohë nga princa shqiptarë dhe janë dokumentet në arkivat e tyre, në Izrael kemi holokaustin, në Turqi kemi mbi 1 milionë dokumente të rikthyera në atdhe. Po punojmë për dokumente kadastrale që do të çojnë deri në gjetjen e pemës gjenealogjike të hershme të shqiptarëve”, tha ai.