Ballina Kulturë Arkivistë e studiues nga trojet shqiptare mblidhen në Elbasan

Arkivistë e studiues nga trojet shqiptare mblidhen në Elbasan

42
0

Për të tetin vit radhazi, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) e Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ( ITSHKSH) zhvilluan punimet e Konferencës së VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Elbasani ishte ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të kësaj konference, që mblodhi ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare, për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.

Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido u shpreh se nëpërmjet kësaj konference mundësohet shkëmbimi i ideve dhe bashkëndarja e rezultateve të arkivistikës në nivel kombëtar.

“8 vite më parë krijuam këtë institucion të rëndësishëm që bashkon arkivistët nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga të gjitha trevat shqiptare për të shkëmbyer ide, për të bashkëndarë punën tonë, për të arritur që në fushën e arkivistikës ne të funksionojmë si ‘një’. Sepse në arkivistikë gjuha është e rëndësishme. Kufijtë shtetërorë dhe politikë ne i respektojmë, mbi ato veprojmë mirëpo kur vjen fjala për kulturën, trashëgiminë kulturore, historinë, arsimin, arkivistikën, ne nuk mund të jemi të ndarë”, tha ai.

Bido shtoi se “ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe shërbejmë dokumentacionin e të njëjtit komb. Hapësira gjeografike e mbledhjeve tona të përvitshme, ka arritur të gjitha skajet që kemi patur mundësi. Ky vit është 80-vjetori i masakrës mbi shqiptarët e Çamërisë dhe i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i çlirimit të atdheut. Është 115-vjetori i Kongresit të Elbasanit. Të gjitha këto së bashku janë çfarë ne do të trajtojmë në këtë konferencë, ku tryeza të veçanta do të diskutojnë mbi shkencën e arkivistikës, lidhur me këto momente të rëndësishme”.

Në vijim të fjalës së tij, Bido theksoi se çdo edicion i kësaj konference, kurorëzohet me publikimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, unikale në llojin e saj në trojet shqiptare.

“Për të gjithë shqiptarët që lëvrojnë shkencën e arkivistikës, nuk ka një medium të dytë shkencor. Jo rastësisht ne e zhvillojmë bashkë edhe këte botim të rëndësishëm. Kjo shkencë lëvrohet nga pak njerëz. Nëse nuk do të bashkoheshim nuk do të kishim cilësi. Së dyti, sepse kjo shkencë nuk mund të jetë e Shqipërisë, e Kosovës, e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në luginën e Preshevës, në diasporë, sepse është një  shkencë e lidhur jo vetëm me një lëm të caktuar, por me gjuhën, historinë kombëtare dhe traditat që janë të pandashme”, përmbylli Bido.

Në fjalën e mbajtur, kreu i ASHAK-ut, Bislim Bislimi e vlerësoi konferencën si një mundësi për të nxitur punën kërkimore dhe shkencore në arkiva. “Kjo konferencë është shndërruar në një agjendë pune të përvitshme e të përbashkët të institucioneve tona dhe meriton të gjithë përkrahjen institucionale sepse krijon një mundësi për prezantimin dhe nxitjen e punës kërkimore shkencore në arkiva dhe përmes tyre, ashtu sikurse na shërben edhe si platformë e prezantimit të punës së palodhshme të arkivistëve tanë. Organizimi i përvitshëm i Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, është një projeksion kuptimplotë dhe vizionar”, tha Bislimi.

Ndërsa, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani u shpreh se në sajë të kësaj konference, evidentohen pasuri arkivore që meritojnë të ekspozohen edhe më gjerë. “Para 8 vitesh, filloi një etapë shumë e rëndësishme që politika nuk e bëri. Që para 8 viteve u mblodhën këto tre institucione të Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit. Edhe Shkupi do të krijojë arkivin e tij, me ndihmën e arkivit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Duhet të jemi të përgatitur që këto vlera dhe këto pasuri arkivore që kanë shqiptarët, t’ia tregojme botës mbarë”, tha Asani.

Në punimet e kësaj konference morën pjesë edhe pasardhësit e dy familjeve me kontribut madhor në çështjen kombëtare, Petro Luarasi, Suela dhe Rozi Dako. Ata dhuruan letërnjoftimin e Republikës Popullore të Shqipërisë të veprimtares Sevasti Qiriazi. Ky dokument, që zbulon përkatësinë fetare ortodokse të Sevastisë, do t’i shtohet fondit të pasur të saj në DPA.

Synimi i kësaj konference periodike, që këtë vit ka shënuar rekord aplikimesh , është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta. Në fokus të kumtesave janë çështjet që mbulojnë arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, trashëgiminë kulturore arkivore, trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare, etikën dhe arkivat, trajnimin arkivor, si dhe turizmin dhe promovimin e arkivave.

Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfshin punimet e përgatitura prej kumtuesve. Revista e përbashkët, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve homologe përgjatë 59 vjetëve të fundit.

Edicionet e mëparshme të kësaj konference janë mbajtur në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz, në Boletin dhe në Manastir. atsh