Ballina Europë Macron e Scholz humbën zgjedhjet në Parlamentin Evropian, reagojnë me ironi politikanët...

Macron e Scholz humbën zgjedhjet në Parlamentin Evropian, reagojnë me ironi politikanët rusë: Dilni në pension

30
0

Politikanët rusë janë shfaqur të kënaqur me humbjet e partive të Scholz dhe Macron në zgjedhjet e Parlamnetit Europian të mbajtura të dielën.

Kremlini ka kohë që ka mbështetur liderët e së djathtës politike të Evropës dhe është i prirur të shfrytëzojë çdo shenjë ndarjeje që mund të dobësojë mbështetjen për Ukrainën.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se rezultatet e zgjedhjeve europiane pasqyronin “politikën e paaftë” të të dy liderëve për të mbështetur Kievin.

“Koha për të dalë në pension. Në grumbullin e hirit të historisë,” postoi Medvedev në rrjetin X.

Valentina Matviyenko, drejtuesja e dhomës së lartë të parlamentit rus, tha se Macron dhe Scholz kishin “pësuar një disfatë dërrmuese, e cila konfirmon dështimin e tyre si politikanë kombëtarë dhe evropianë”.

“Për më tepër, në rastin e tyre ky është një rezultat i merituar, që rrjedh nga mospërfillja e plotë shumëvjeçare e nevojave reale të njerëzve dhe shoqërisë”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se shumica në Parlamentin Evropian do të ishte ende pro BE-së dhe pro-ukrainase, por rritja e partive të krahut të djathtë ishte e qartë.

“Kjo dinamikë është e dukshme me sy të lirë dhe sigurisht, pavarësisht se pro-evropianët ruajnë pozicionet e tyre drejtuese për momentin, me kalimin e kohës partitë e djathta do të rriten”, tha Peskov.