Ballina Aktualitet GJKKO rrëzon pushimin e çështjes, detyron SPAK të hetojë guvernatorin Gent Sejko

GJKKO rrëzon pushimin e çështjes, detyron SPAK të hetojë guvernatorin Gent Sejko

9
0

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar SPAK duke i kthyer edhe njëherë për hetim Prokurorise së Posaçme kallëzimin e bërë nga Tedi Malaveci, kreu i Dhomës së Përmbaruesve për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, për të cilin e kishte kallëzuar për “shpërdorim detyre”, lidhur me mikrokreditë.

Këtë të mërkurë gjyqtarja Flora Hajredinaj, pas ankimimit të bërë nga Malaveci ndaj vendimit të SPAK për pushimin e çështjes, ndaj Gent Sejkos, ka vendosur ta cilësojë të pavlefshme kërkesën e SPAK.

Gjyqtarja e cilëson të pavlefshme kërkesën e SPAK për të pushuar çështjen ndaj guvernatort të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që ia ka kthyer aktet strukturës së posaçme për plotësim hetimesh.

Vendimi

  1. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 11.06.2024, Nr. Regj.Them 90, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Kërkohet pushimi i çështjes penale nr.1360/2022 të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” së parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 75/a; 128, 128/a, pika 1, shkronja “b”, 131/2, 332/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjit nr. 95 datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionin e institucioneve për të luftuar Krimin e Organizuar”, me vendimin Nr. 90, datë 10.07.2024, vendosi:
  3. Deklarimin e pavlefshmërisë absolute të aktit “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr.1360, të vitit 2022 të Prokurorit, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, që ka si objekt hetimin e vepës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj të kallëzuarit Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
  4. Kthimin e akteve të procedimit penal nr.1360/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  5. Veprimet hetimore të urdhëruara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi duhet të kryhen brenda 3 (tre) muajve.
  6. Caktimin e seancës gjyqësore paraprake datë 16.10.2024, ditë e mërkurë, ora 10:00.
  7. Urdhërohet sekretaria e gjykatës t’i njoftojë vendimin Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  8. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe

Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor.