Ballina Opinion Protestë klanore e familjare e kamufluar si protestë opozitare

Protestë klanore e familjare e kamufluar si protestë opozitare

9
0

Nga Azgan Haklaj

Data 11 Korrik e cila sipas sinoptikanëve është paralajmeruar dhe si dita më përvëluese e vitit është caktuar nga Sali Berisha si një ditë proteste opozitare.

Eshtë paradoksale teksa në provat teknike të grupimit Rithemelimi tash sa javë përpara BashkisëTiranë në protestat kundër Erion Velisë dhe skandaleve të tij mblidhen 3 herë më shumë policë e kameramanë sesa protestues.

Sot është imperative një protestë e madhe “Revolucion”, e cila synon ta rrezojë Edi Ramën, por është e tmerrshme të veprojë si  gjithmonë Kalifi Berisha i cili ka aftesinë të genjejë demokratët e ti karikojë ata sa herë ka hall e të bëjë presion që fatkeqesisht akoma shpreson se mund të këtë rezultat!

Kushdo e bën analizën se përse po dështon protesta kundër Erion Velise?

Nëse doni shkakun e vërtetë është fakti që kjo nuk tentonte aspak denoncimin dhe irritimin ndaj korrupsionit të çmendur qeveritar por thjesht një sforcim e pērdorim për një pazar privat familjar.

Dhe kjo u materializua e u dekonsiprua teksa vajza e Sali Berishes u pa me bluzën “Free Berisha” pranë gomave që po digjeshin te dera e Bashkisë Tiranë, e ndërkohë që miniprotestat vijonin te bashkia thuhet se për Shkelzen Berishën firmosen leje kullash po nga Erion Velia?!

As britmat e Klevis Balliut dhe vezët e banjaminit të Ilir MetësTedi Blushi nuk e tundën Veliajn përkundrazi i dhanë një rast tjetër kusarie me ndonjë tendër pa procedura për të pastruar baterdinë “revolucionarëve” të Ballkonit!

Asnjë opozite dhe populli në  kontinent si në Shqipëri nuk ka arsye më të qenësishme për protestë, por kjo lloj proteste-ujdi me pērfundim profitesh përsonale për Sali Berishën e indirekt për të zgjatur “mbreterimin” sulltanor të Edi Ramës ta shpif siç ta shpif Gaz Bardhi me shokë që ndajnë fletushka-trakte nëpēr kioskat e Tiranës sikur të ishin reklama picash.

Duhet theksuar edhe njëherë se pas secilës “protestë” është gatuar një ujdi.

Një për amnistinë Penske e tjetra për vulën, një për degradimin e reformën zgjedhore e tjetra për të nxjerrë nga bunkeri Sali Berishën dhe vektori i përbashkët, i cili sado vishet me çirrje e përberim është lufta e treshes Berisha-Rama-Meta kundër SPAK-ut dhe gjykatave speciale ani-krim e anti-korrupsion, të investuara e mbështetura ekskluzivisht nga aleatët tanë euroatlantikë. Tashmë që vapa përveluese po prek kulmin edhe kjo tragjikomedi me regji ne kurriz te demokratëve dhe shqiptarëve po prek fundin…një fund pa lavdi për ata që mbajtën për 3 dekada peng demokracinë dhe rrënuan Shqipërinë.

Është imediat ndryshimi dhe progresi dhe ky komb ka fuqi për të rigjeneruar.

“Progresi është i pamundur pa ndryshim por ata që nuk ndryshojnë dot mendjen e tyre nuk mund të ndryshojnë asgjë” thoshte Bernard Show.