Ballina Ekonomia OECD: Bizneset e reja shtohen në Shqipëri, por 56% hapen pa asnjë...

OECD: Bizneset e reja shtohen në Shqipëri, por 56% hapen pa asnjë punonjës

75
0

Numri i bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por pjesa dërrmuese e subjekteve të reja nisin aktivitetin pa krijuar vende pune ose me një numër minimal të punësuarish.

Sipas raportit të OECD-së “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, 56% e ndërmarrjeve të krijuara gjatë vitit 2023 nuk kishin asnjë punonjës. Ndërsa 39% kishin vetëm një deri në katër të punësuar.

Kjo do të thotë se 95% e bizneseve të reja të regjistruara gjatë vitit kishin jo më shumë se katër punonjës, duke treguar se shtimi i numrit të ndërmarrjeve nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me krijimin e vendeve të reja të punës.

Rritja është përqendruar kryesisht në tregti, hoteleri, shërbime ushqimore dhe ndërtim, ndërsa pjesëmarrja e aktiviteteve prodhuese dhe e sektorëve me intensitet të lartë teknologjik mbetet më e kufizuar. OECD vlerëson se një pjesë e madhe e dinamizmit të sipërmarrjes shqiptare vazhdon të lidhet me aktivitete të vogla shërbimi, të orientuara kryesisht drejt tregut të brendshëm.

Rreth 13 mijë mikrondërmarrje më shumë

Numri i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme u rrit nga afërsisht 103,900 në vitin 2019 në rreth 117,100 në vitin 2023. Rritja mesatare vjetore për këtë periudhë llogaritet në 3%.

Zgjerimi erdhi pothuajse tërësisht nga mikrondërmarrjet, numri i të cilave u shtua me rreth 12,700. Ky segment u rrit me një ritëm mesatar vjetor prej 3.1%.

Ndërmarrjet e vogla u shtuan më ngadalë, me një ritëm mesatar prej 1.9% në vit. Numri i ndërmarrjeve të mesme mbeti thuajse në vend, me rritje mesatare vjetore prej vetëm 0.7%, ndërsa numri i kompanive të mëdha ra me 1.5% në vit.

Të dhënat tregojnë se zgjerimi i bazës së biznesit në Shqipëri po ndodh kryesisht në nivelin më të ulët të strukturës së ndërmarrjeve. Kompanitë që krijohen ose shtohen janë kryesisht subjekte shumë të vogla, ndërsa kalimi drejt ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha mbetet i dobët.

Kjo strukturë pasqyrohet edhe në numrin e kufizuar të kompanive të mëdha. Sipas raportit, në ekonominë shqiptare rezultojnë vetëm 168 ndërmarrje të mëdha. Ato sigurojnë rreth 17.5% të punësimit dhe 21.8% të vlerës së shtuar.

OECD thekson mungesën e kompanive të mëdha vendase, të cilat zakonisht shërbejnë si pika mbështetëse për zinxhirët e furnizimit, nxisin përdorimin e teknologjisë dhe krijojnë kërkesë për produkte e shërbime nga bizneset më të vogla.

Mesatarisht 14,400 biznese të reja në vit

Të dhënat e demografisë së biznesit, të publikuara për herë të parë nga INSTAT, tregojnë se numri i ndërmarrjeve aktive u rrit nga rreth 114,200 në vitin 2021 në 125,700 në vitin 2023.

Gjatë kësaj periudhe u krijuan mesatarisht rreth 14,400 ndërmarrje të reja në vit. Në të kundërt, numri i ndërmarrjeve që mbyllën aktivitetin ishte shumë më i ulët, duke lëvizur nga rreth 560 deri në 1,000 subjekte në vit.

Në vitin 2023 u mbyllën 810 ndërmarrje. Rreth 62% e tyre nuk kishin asnjë punonjës, çka tregon se mbylljet janë përqendruar kryesisht te subjektet më të vogla.

Numri i ulët i mbylljeve, krahasuar me regjistrimet e reja, ka ndihmuar në zgjerimin e shpejtë të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve. Megjithatë, struktura e subjekteve që lindin tregon se një pjesë e madhe e tyre kanë kapacitete të kufizuara për punësim, investime dhe zgjerim./ekofin.al