Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për “mizogjini” pas një episodi të ndodhur gjatë një takimi me kryetarët socialistë të bashkive.
Berisha iu referua rastit të kryetares së bashkisë Dimal, e cila, sic tha ai, u nxor nga mbledhja pasi shprehu kundërshtimin ndaj propozimit socialist për reformën territoriale dhe shkrirjen e 15 bashkive.
Ai pretendoi se kryetarë të tjerë bashkish kanë shprehur të njëjtin qëndrim, por nuk janë përjashtuar nga mbledhja.
“Ky është një mizogen i pashembullt. Në një akt ekstrem mizogenie, ky nxjerr nga mbledhja kryetaren e bashkisë Dimal, vetëm se guxon…dhe nuk nxjerr kryetarët që thanë të njëjtat gjëra. Nuk mund ta nxirrte kurrë.
Në një anë filloi të flasë për besën, por ky është i pabesë. Nëse ecën në rrugën e besës dhe kanunit, në Kuvend janë të gjithë të barabartë dhe jo të nxjerrësh një zonjë nga mbledhja. Pavarësisht se ajo është socialiste, ky është një ofendim dhe një lëndim për të gjitha gratë e Shqipërisë”, tha Berisha.







