Ballina Editorial Të dalësh në protestë për hallexhiun majë ballkonit

Të dalësh në protestë për hallexhiun majë ballkonit

9
0

Nga Namir Lapardhaja

Çdo protestë qytetare dhe e thirrur nga grupe të caktuara interesi, është e mirëpritur dhe duhet mbështetur pa më të voglin hezitim.

Një shoqëri që proteston ndaj keqqeverisjes tregon se ajo nuk e ka humbur nervin qytetar.

Të protestosh ndaj korrupsionit të Edi Ramës është detyrë qytetare, por modeli që i serviret përballë nuk mund të jetë riciklimi i një klase politike që e ka shpërdoruar besimin e shqiptarëve, duke qenë po aq e korruptuar sa pushteti i sotëm.

Nuk mund të thirren njerëzit të protestojnë kundër qeverisë, ndërkohë që e gjithë retorika është kundër SPAK dhe drejtësisë.

Njerëzit e kanë të qartë se ata që liriuan të korruptuarit bashkë me Ramën, ata që penguan reformën zgjedhore bashkë me Ramën, ata që po shantazhojnë SPAK bashkë me Ramën, bëjnë lojëra luftash për t’u hedhur hi syve të njerëzve, që të mos shohin rrugën pa krye ku i ka futur halli personal i një njeriu të vetëm.

Opozita e ka provuar shpeshherë rrugën e protestave dhe të bojkotit dhe dihet se ku ka dalë e ku ka arritur.

Qëllimi i një opozite është krijimi i një modeli dhe alternative morale si shpresë për njerëzit dhe pasqyrë të keqqeverisjes.

Nëse nuk arrihet kjo, atëherë nuk është protestë për njerëzit, por për hallexhiun majë ballkonit dhe eunukët që presin t’i mbarojë koha biologjike për t’i zënë karrigen politike.

Fushën politike po e spastron SPAK, shqiptarëve u mungon alternativa politike.

Këta që janë në pushtet janë thellësisht të korruptuar, ata që kanë thirrur protestën duan të përdorin njerëzit si mburojë ndaj drejtësisë që i heton për korrupsion.