Ballina Rajoni ​Gjukanoviq: Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dërgon drejt humnerës

​Gjukanoviq: Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dërgon drejt humnerës

9
0

Ish-presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq ka deklaruar se gjenocidi në Srebrenicë 29 vjet më parë është një rast për t’iu përkulur edhe një herë hijeve të më shumë se 8 mijë viktimave dhe për të shprehur simpatinë e sinqertë për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre në krimin e çmendur të forcave serbe.

Deklarimet e tij përkojnë me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, sot, për herë të parë pas miratimit të fundit të një rezolute në OKB e cila është një mesazh që aktorët përgjegjës të këtij krimi duhet të përballen me rolin e tyre në të kaluarën e afërt.

Ai ka shprehur shqetësimin se në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shumë vende nuk ishin të gatshme të konfirmonin vendimin e Gjykatës së themeluar nga OKB-ja, e cila e cilësoi krimin në Srebrenicë si gjenocid.

Gjukanoviq ka thënë se mohimi i gjenocidit në Srebrenicë nga Serbia është një rrugë drejt humnerës dhe se përballja me të vërtetën dhe përgjegjësinë është e vetmja rrugë për një të ardhme më të sigurt.

“Për sa kohë që shumica e anëtarëve të OKB-së mohojnë, frenojnë, hezitojnë dhe nuk tregojnë gatishmëri për ta quajtur krimin në Srebrenicë me emrin e duhur dhe ta dënojnë atë, nuk ka shpresë për një të ardhme më të mirë për rajonin, por nuk ka paqe mendore për të mëdhenjtë dhe të fuqishmit, politikat e të cilëve udhëhiqen nga interesat e përditshme politike, të zhytura në kompromise të kalbur. Kjo është arsyeja pse përgjegjësia më e madhe është te ne që jetojmë në këto zona për t’i treguar vetes dhe botës se jemi gati dhe të aftë të marrim përgjegjësi dhe të pranojmë gabimet tragjike të së shkuarës së afërt. Do të hapë shpresë për një perspektivë më të sigurt të së sotmes dhe brezave që do të vijnë”, ka thënë Gjukanoviq.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karaxhiq lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.