Ballina Politika “Pensionistët viktimat e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë Rama”, Basha shpalos alternativën...

“Pensionistët viktimat e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë Rama”, Basha shpalos alternativën e Demokratëve Euroatlantikë për pensionet

27
0

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shfaqjet elektorale të Edi Ramës me pensionistët janë tallja e një politikani që prej 11 vitesh ka patur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik.

Sipas tij, pensionistët janë të pambrojtur dhe po përballen me varfëri për shkak të korrupsionit dhe politikave që kanë favorizuar interesat private për 11 vite rresht.

Basha thekson se programi i demokratëve euroatlantikë synon të reformojë skemën e pensioneve, duke ofruar rritje prej 20% për pensionet dhe indeksim të përvitshëm sa dyfishi i inflacionit. Programi parashikon gjithashtu një bonus të përhershëm për pensionet e ulëta dhe rimbursim të barnave për të ulur shpenzimet e larta për ilaçe.

Postimi i plotë i Bashës:

Shfaqjet elektorale të Edi Ramës me pensionistët janë tallja e një politikani që prej 11 vitesh ka patur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, fatura e dëmit ekonomik si pasojë e shpërdorimit të financave publike nga qeveria Rama shkon mbi 10 miliardë euro.

Pensionistët shqiptarë janë viktima e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë Rama, sepse taksat e larta të këtyre viteve nuk u vendosën në shërbim të tyre, por të inceneratorëve inekzistentë, të koncesioneve korruptive në shëndetësi, të vjedhjeve të “5D-së” dhe dhjetra skandaleve që kanë çuar mundin dhe djersën e shqiptarëve në xhepat e pushtetarëve.

Një qeveri që nuk i ka shërbyer shqiptarëve në 12 vjet, nuk ka më çfarë të premtojë, përveç thellimit të mëtejshëm të varfërisë dhe korrupsionit.

Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe përmes programit të Demokratëve Euroatlantikë ne jemi të vendosur të trajtojmë në themel problemet e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të largimit masiv të shqiptarëve dhe rënies së kontributeve.

Ne angazhohemi për rritje me të paktën 20% të pensioneve dhe indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit, ndërsa për pensionet e ulëta do të ketë një bonus të përhershëm prej 250 mijë lekësh të vjetra.

Rimbursimin e barnave jetike për pensionistët në mënyre që të mos çojnë pjesën me të madhe pensionit për të blerë ilaçe.

Shërimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëqeverisja dhe lufta e gjithëanëshme kundër korrupsionit, do të na mundësojë t’u japim pensionistëve shqiptarë hakun e mohuar për dekada që meritojnë. Shqipëria meriton më shumë!