Ballina Politika ‘Taren e detyruan të thotë se ka tradhtuar gruan me Ballukun’, Kalaja...

‘Taren e detyruan të thotë se ka tradhtuar gruan me Ballukun’, Kalaja zbulon detaje nga hetimet: “Vejusha e zezë”, shumë e fiksuar me videot

70
0

Aulon Kalaja ka bërë deklarata të forta për zhvillimet politike dhe raportet brenda mazhorancës, duke u ndalur te Belinda Balluku, Ergys Agasi dhe ish-futbollisti Igli Tare. I ftuar në një emision televiziv, Kalaja tha se Balluku është aktualisht një nga figurat më të fuqishme në qeveri dhe se, sipas tij, ka ndikim të madh në emërimet dhe karrierat politike.

“Belinda Balluku, për momentin, është më e forta në lojë. Është njeriu që emëron ministra, është njeriu që i ndërpret karrierën politike deputetëve apo personazheve të tjerë, siç ishte Spiropali e të tjerë”, deklaroi Kalaja. Ai e cilësoi Ballukun si “vejushën e zezë”, duke pretenduar se fuqia e saj shtrihet edhe te drejtues të institucioneve dhe se brenda mazhorancës po zhvillohet një përplasje mes klanesh.

“Kjo është ‘vejusha e zezë’ në kuptimin literal të fjalës. Fuqia e saj është te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, siç e kemi parë te ministrat të cilët ajo ka vënë, marionetat e saj. Ka një grup parlamentar në dorë dhe këtu kemi një luftë midis klanesh, dhe zoti Rama tani nuk di se kë klan të mbajë”, tha ai.

Duke folur për Igli Taren, Kalaja bëri pretendime lidhur me deklaratat e tij të fundit, duke thënë se ish-futbollisti është detyruar të flasë për një marrëdhënie intime me Belinda Ballukun.

“Igli Tare u detyrua të deklarojë se ka tradhtuar gruan me Belinda Ballukun. Ka marrë fund çdo gjë. Tani nuk bëhet fjalë më për familje, s’bëhet fjalë më për princip. Igli Tare është një personazh i cili kishte një karrierë të shkëlqyer”, u shpreh Kalaja.

Sipas tij, Tare është futur në një situatë ku, pretendon ai, është orientuar edhe se çfarë duhet të thotë. Më tej, ai e krahasoi Ballukun me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, duke thënë se ndërsa Ahmetaj, sipas tij, ishte i fokusuar te dokumentet, Balluku është fokusuar te videot.

“Balluku është njeriu që na mësoi që edhe duke mos qenë zëvendëskryeministre mund të jesh më e fortë se duke qenë. Pra, kjo ka çelësat e qeverisë në dorë. Mjetet e shantazhit i ka shumë të forta dhe ka punuar me mend”, tha ai.

Kalaja pretendoi se videot mund të kenë një ndikim më të madh publik sesa dokumentet, pasi sipas tij ato mund të krijojnë një impakt të menjëhershëm. Në vijim, Kalaja pretendoi gjithashtu se ndikimi i Ballukut shtrihet te drejtues të institucioneve që, sipas tij, kanë rol të rëndësishëm në ekonomi dhe administratë.

Në fund, Kalaja e përshkroi raportin mes Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit si një marrëdhënie të tensionuar dhe një përplasje mes dy kampeve.
“Zoti Rama ndodhet midis dy poleve, Balluku-Agasi, që hanë kokat e njëri-tjetrit”, përfundoi Aulon Kalaja.