Ballina Europë Qyteti francez vendos orë policore për të miturit gjatë ndeshjeve të Kupës...

Qyteti francez vendos orë policore për të miturit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës

58
0

Autoritetet e qytetit francez Toulouse kanë njoftuar vendosjen e një ore policore për të miturit nën 16 vjeç gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës që klasifikohen si “me rrezik të lartë”, pas trazirave të regjistruara gjatë festimeve të fundit sportive në Francë.

Sipas vendimit, ora policore do të zbatohet nga ora 22:00 deri në 05:00 për të gjithë të miturit nën 16 vjeç që gjenden pa shoqërimin e një të rrituri në qendrën e qytetit.

Masa u bë publike nga kryetari i bashkisë së Toulouset, Jean-Luc Moudenc, i cili theksoi se ajo është marrë në bashkëpunim me prefekturën lokale.

Ai sqaroi se kufizimi do të aplikohet vetëm gjatë një numri të caktuar ndeshjesh të cilat autoritetet i kanë vlerësuar si të rrezikshme për sigurinë publike, shkruan TF1.

Ndër to përfshihen të gjitha ndeshjet e kombëtares franceze, si dhe disa takime të tjera ndërkombëtare, përfshirë Marok–Brazil, Skoci–Haiti dhe Tunizi–Holandë.

Vendimi vjen pas trazirave të dhunshme që shpërthyen në disa qytete franceze pas finales së Ligës së Kampionëve më 30 maj, kur u arrestuan rreth 890 persona në të gjithë vendin. Ngjarjet u shoqëruan me përleshje, dëme materiale dhe një aksident tragjik me një viktimë të re.

Sipas autoriteteve lokale, masa synon “mbrojtjen e qytetarëve dhe të miturve”, në një kohë kur është vërejtur rritje e delikuencës së të rinjve në qytet.

Toulouse bëhet një nga qytetet e para franceze që ndërmerr një kufizim të tillë, pas një mase të ngjashme të shpallur më herët edhe në Clermont-Ferrand. Franca pritet të zhvillojë ndeshjen e parë të turneut të martën kundër Senegalit.