Gjykata e Assizes në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, ish-të dashurin e Ilaria Sulës, studentes 22-vjeçare shqiptare, e cila u vra më 25 mars 2025. Vendimi i shkallës së parë përputhet me kërkesën e Prokurorisë së Romës, e cila kishte argumentuar se krimi ishte i paramenduar dhe ishte kryer në mënyrë të qëllimshme.
Mediat italiane shkruajnë se pas vrasjes, trupi i studentes u vendos brenda një valixheje dhe u hodh në një zonë shkëmbore në Capranica Prenestina. Pas disa ditësh kërkimesh, trupi i saj u gjet më 2 prill 2025, duke i dhënë fund kërkimeve për të renë, zhdukja e së cilës kishte alarmuar autoritetet dhe familjarët.
Sipas akuzës, Samson e kishte thirrur Ilarian për t’u takuar, ndërsa prokurorët pretenduan se takimi ishte organizuar si një pritë. Gjatë aktakuzës, ata deklaruan se e reja fillimisht ishte goditur me grushte dhe më pas me thikë.
Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm që më 19 maj, duke e cilësuar vrasjen si një akt të planifikuar dhe të ekzekutuar me gjakftohtësi. Përveç vrasjes, ndaj Samsonit u paraqitën edhe rrethana rënduese që lidhen me fshehjen e kufomës, motivet e krimit dhe marrëdhënien emocionale me viktimën. Gjatë procesit, prokurorët e përshkruan ngjarjen si një krim veçanërisht të rëndë, ndërsa theksuan se, sipas tyre, i pandehuri nuk kishte treguar pendesë të vërtetë për atë që kishte ndodhur.
Mark Antony Samson e kishte pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa pas krimit, kishte ndërmarrë veprime për të fshehur trupin e 22-vjeçares. Në këtë fazë të çështjes, edhe nëna e tij u përfshi në hetimet lidhur me ndihmën e dyshuar për fshehjen e kufomës.
Vrasja e Ilaria Sulës
22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë, u gjet e vrarë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Trupi i saj ishte futur në një valixhe që u gjet e hedhur në humnerë. Në vendngjarje shkuan hetuesit e skuadrës kriminale së bashku me zjarrfikësit për të marrë trupin e së resë.
E reja kishte pasur së fundmi një lidhje me 23-vjeçarin filipinas Mark Samson, i cili është arrestuar nga autoritetet dhe ka pranuar edhe vrasjen. Ilaria studionte Statistikë në universitetin “La Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët kishin ngritur alarmin në rrjetet sociale, edhe shoqe e kolegë ishin mobilizuar për ta gjetur duke publikuar fotografi të shumta të saj.
Ish i dashuri u arrestua dhe rrëfeu vrasjen gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje. Ai e goditi Ilaria-n disa herë me thikë në apartamentin në Via Homs, përpara se ta mbyllte në një valixhe dhe të përpiqej të zhdukte trupin. Ndaj tij rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe fshehje të kufomës. I riu me origjinë filipinese, për të zhdukur gjurmë, vazhdoi që të përdorte celularin e studentes, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke postuar në rrjete sociale edhe pas vdekjes së të resë.







