Avokati nga Beogradi, Bozho Preleviq, ka kërkuar përgjegjësi nga mediat që, sipas tij, për 14 vjet i kanë shërbyer pushtetit të Aleksandar Vuçiqit. Ai ka theksuar se ndryshimet politike në Serbi duhet të shoqërohen me reforma të thella në media, polici, ushtri dhe institucione të tjera shtetërore.
Në një intervistë për televizionin serb Nova, Preleviq ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së televizioneve private dhe të atyre që, sipas tij, kanë përhapur informacione të pavërteta gjatë qeverisjes së Vuçiqit, transmeton KosovaPress.
“Në sektorin e mediave, çfarë duhet të bëhet? Çfarë do të bëjë REM-i? Çfarë duhet të bëhet me televizionet private? Çfarë duhet të bëhet me ata që kanë gënjyer për 14 vjet? Si të rikthehen programet arsimore dhe kulturore? Të gjitha këto çështje duhet të trajtohen”, ka deklaruar Preleviq.
Ai ka theksuar se pronësia private mbi një televizion nuk duhet t’i japë pronarit kontroll të pakufizuar mbi informimin e qytetarëve.
“A mundet pronari i ri ta shuajë ditarin e lajmeve? A ka të drejtë ai të krijojë terr informativ? Unë mendoj se nuk ka të drejtë. A mund ta bëjnë këtë në Portugali? Natyrisht që nuk munden. Nuk do të duhej të mundeshin as këtu”, është shprehur ai.
Preleviq ka insistuar se duhet bërë dallim ndërmjet kapitalit të investuar në media dhe përgjegjësisë së tyre për informimin e publikut.
“Diçka tjetër është kapitali dhe diçka tjetër është redaktimi dhe programi i redaktuar”, ka theksuar ai.
Duke folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, avokati serb ka kërkuar hartimin e një plani strategjik për reformimin e institucioneve.
Sipas tij, ndryshimi i drejtuesve politikë nuk mjafton nëse nuk përcaktohen objektiva konkrete, njerëzit përgjegjës për realizimin e tyre dhe afatet e zbatimit.
“Ata duhet të hartojnë një plan strategjik. Në njërën anë duhet ta forcojnë shtetin, në mënyrë që ta dinë saktësisht se çfarë u nevojitet dhe cilët njerëz i pengojnë. Duhet t’i dinë qëllimet dhe të identifikojnë njerëzit që mund t’i realizojnë ato. Gjithashtu, duhet të përcaktojnë një afat kohor për zbatimin e reformave”, ka deklaruar Preleviq.
Ai ka kërkuar edhe shqyrtimin e veprimtarisë së zyrtarëve policorë gjatë 14 vjetëve të fundit, veçanërisht të atyre që mund të kenë shkelur ligjin.
“Kush janë ata që i kanë shkelur ligjet? Ta shohim nëse duhet të shkojnë në pension të privilegjuar në moshën 50-vjeçare, me pagat më të mëdha në këtë vend. A e kanë merituar këtë me shërbimin e tyre gjatë 14 vjetëve të fundit?”, ka pyetur ai.
Kritika ka pasur edhe për ushtrinë serbe, për të cilën ka ngritur dyshime lidhur me përqendrimin në tregtinë e armëve.
“Çfarë bën ushtria, apo çfarë ka bërë ushtria? Përveçse është marrë me shitblerjen e armëve, çfarë tjetër ka bërë?”, ka deklaruar Preleviq.
Avokati serb ka vlerësuar se reformat duhet të jenë sistematike dhe të përfshijnë të gjitha institucionet shtetërore. Sipas tij, pa shqyrtimin e përgjegjësisë së zyrtarëve dhe pa ndryshime në funksionimin e institucioneve, ndërrimi i pushtetit nuk do të ishte i mjaftueshëm për transformimin e Serbisë.







