Eurodeputeti Fredi Beleri, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të takimit të 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ka folur për mediat greke lidhur me vizitën e tij në Shqipëri. Pak para se takimi i tij me kryeministrin Rama të anulohej, Beleri është shprehur se nuk do të harroj kurrë që sipas tij, kryeministri Rama nuk e la të përfaqësonte qytetarët e Himarës.
“Është sigurisht shumë e trishtueshme dhe nuk do të harroj që me procedurat e grushtit të shtetit nuk më la të përfaqësoja qytetarët e Himarës që më zgjodhën kryetar bashkie. Nuk do ta harroj kurrë këtë, por tani siç e dini me lëvizjen e kryeministrit më përdorin si kandidat dhe me besimin e qytetarëve grekë jam deputet në Parlamentin Europian”, ka thënë ai.
Ai tha se edhe nëse nuk takohet me Ramën, por me përfaqësuesit e tij, do u shpreh atyre qëndrimet e minoritetit grek.
“Kushdo që të vijë dhe në të gjitha takimet që do të kemi, unë do të shpreh qëndrimet tona që është e drejta e pakicës për vetëvendosje, për pronë, për gjuhë dhe për arsim në të gjitha nivelet dhe të gjitha këto të drejta, të cilat abuzohen nga ndërkombëtarët. Konventat i ka nënshkruar edhe Shqipëria dhe fatkeqësisht deri më sot nuk janë respektuar”, theksoi ai.
Eurodeputeti grek ka thënë se Greqia është e vendosur në politikën e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por sipas tij, çështja është se çfarë do të bëjë Shqipëria.
“Greqia është e vendosur në politikën e saj dhe me korrektësi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Çështja është se çfarë do të bëjë Shqipëria. Topi është tashmë në fushën e Shqipërisë. Nëse zoti Rama dhe administrata shqiptare duan Europën, shtëpia jonë e përbashkët ka rregulla dhe ato duhen respektuar”, theksoi ai.