Ballina Opinion Nderimi i munguar për presidentin Moisiu, nderi i humbur i presidentit Begaj...

Nderimi i munguar për presidentin Moisiu, nderi i humbur i presidentit Begaj dhe krenaria e italianëve që këndojnë “Un partigiano come president”

34
0

Nga Luan Rama

Ngjarjet e mëdha të historisë vënë në provë vetëdijen e kombit. Kujtesa e kombit na i sjell e risjell ato ngjarje nëpër përvjetorë e jubile si shenjë nderimi dhe si mirënjohje. Edhe si dëshmi krenarie padyshim.

Por, na i sjell edhe si momente reflektimi dhe projeksioni për të kuptuar më shumë se sa të sotmen, udhën e të nesërmes dhe vizionin tonë për horizontin ku duam të mbërrijmë.

80-vjetori i çlirimit të Shqipërisë antifashiste, qe një mundësi supreme nderimi e mirënjohjeje për një brez dhe për një epokë.

Ai brez idealistësh të mëdhenj dhe epoka e antifashizmit i dhanë popullit shqiptar të drejtën për të qenë në anën e fitimtarëve të një lufte që vuri përballë jo disa ushtri kundër disa të tjerave, por popujt që donin lirinë, kundër diktaturave që ofronin robërinë.

Prandaj antifashizmi u bë frymëzimi dhe motivi i madh që shpëtoi botën, duke bërë bashkë shtete dhe qeveri që në kushte të tjera as që mund të mendohej të ishin në një front.

Antifashizmi në këtë mënyrë, përcaktoi rrjedhat nëpër të cilat do të ecte bota më pas. Vetë Europa e Bashkuar i ka themelet në vlerat e antifashizmit.

Mirëpo, paradoksalisht ne sërish nuk ditëm që t’i dëshmonim botës së qytetëruar dhe kohës që jetojmë, vetëdijen tonë për përkatësinë ku jemi.

Nuk qe një rastësi fatlume dhe as pasojë e ndonjë kalkulimi konjukturash që Shqipëria zgjodhi anën e duhur të historisë. Ishte lufta antifashiste, ishte lufta partizane, e cila duke na sjellë çlirimin e atdheut prej pushtuesve fashistë dhe kuislingëve shqiptarë që u bënë bashkë me pushtuesit, që e bashkuan Shqipërinë dhe popullin shqiptar me fitimtarët.

Dhe ishte çlirimi i Shqipërisë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që zhvilloi populli shqiptar, që rijetësoi dhe i dha vlerë edhe pavarësisë së fituar më parë me aq shumë luftë e sakrifica më 28 nëntor 1912. Me pushtimin fashist më 7 prill 1939, Shqipëria e pushtuar e pati humbur pavarësinë. Pa 29 nëntorin e vitit 1944, nuk do ta kishim më as 28 nëntorin e vitit 1912.

Për ta kuptuar këtë të vërtetë të historisë nuk duhen shumë mend. Nuk është as nevoja të jesh historian. Lypset vetëdije atdhetare dhe ndjenjë përgjegjësie përballë të vërtetës dhe historisë së popullit tënd.

Prandaj 29 nëntori, dita e çlirimit të atdheut nuk është thjeshtë një ditë feste në kalendarin zyrtar të festave.

Ajo është ditë lavdie e krenarie për një popull antifashist që lirinë nuk ia dhuruan, por e fitoi me luftë e sakrifica të mëdha.

Ajo është ditë homazhi dhe nderimi për të gjithë ata që luftua, që u sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Edhe pse që prej në janar me fillimin e vitit u tha se u krijua një komision shtetëror për festimet e 80-vjetorit të çlirimit, në fakt ai komision as u bë i gjallë e as realizoi ndonjë veprimtari për të qenë e denjë, në nderim të 80 vjetorit të çlirimit.

Paturpësisht, me një cinizëm të shëmtuar dhe qëndrim prej provokatori kokëbosh e pa asnjë grimë vetëdije atdhetare, edhe vetë presidenti i Republikës u kujdes për të mos e përmendur qoftë edhe një herë të vetme 80-vjetorin e çlirimit dhe rëndësinë e fitores antifashiste të popullit shqiptar në përbërje të koalicionit të madh antifashist botëror, në fjalimin që mbajti në pritjen shtetërore të organizuar prej tij në Pallatin e Brigadave me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Por, atë që nuk e bëri presidenti i Republikës, atë që nuk e bëri as qeveria, e bëri me shumë qartësi Ambasada e SHBA në Tiranë me urimin kuptimplotë e domethënës 80-vjetorin e çlirimit.

“Këtë vit, -thuhet në urimin e Ambasadës së SHBA, Shqipëria shënon 80 vjet nga çlirimi i saj prej pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj.

Gëzuar 80-vjetorin e Çlirimit, Shqipëri”

Mjafton vetëm të lexojmë mesazhin që përcjell fjalia “kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj”, për të kuptuar rëndësinë e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të fitores mbi fashizmin.

Vetëm pak muaj më parë, më 6 qershor të këtij viti në Francë u përkujtua me nderime të mëdha, ashtu siç e meriton,  80-vjetori i zbarkimit të forcave aleate në Normandi.

Presidenti i SHBA, presidenti i Francës, Mbreti i Britanisë së Madhe, por edhe kancelari gjerman dhe shumë të tjerë ishin të pranishëm në atë ceremoni, në të cilën, në krye të vendit u vunë rreth 100 veteranë antifashistë që ishin ende gjallë, dëshmitarë dhe fitimtarë të asaj lufte të madhe.

Vetëdija imponon nderimin, respektin, krenarinë. Sepse, jo të gjitha vendet e jo të gjithë popujt mund të krenohen me historinë e tyre të Luftës së Dytë Botërore.

Shqipëria ia ka dhënë  vetes këtë meritë, sepse e ka shkruar vetë historinë antifashiste dhe e ka të drejtën, por edhe detyrimin të krenohet me të.

Si rregull, ngjarjet jubilare shërbejnë për t’i bërë homazh historisë, shërbejnë për ta nderuar atë.

Kryetari i Shtetit është autoriteti më i lartë që ka përgjegjësinë kushtetuese ta formalizojë këtë nderim, përpos të tjerash, edhe me protokollin e dekoratava.

Njëzet vjet më parë, në gjashtëdhjetëvjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi, presidenti i atëhershëm i Francës Zhak Shirak nderoi njëpërnjë dyqind veteranë antifashistë të Luftës së Dytë Botërore që ishin gjallë në atë kohë, me një ceremoni publike sipas një protokolli rigoroz dhe solemn.

Me gjestin e tij prej burri shteti, presidenti Shirak nderoi jo vetëm ata dyqind veteranët e Luftës së Dytë Botërore, por, përmes tyre, nderoi gjithë ata që bënë luftën, nderoi vetë Francën.

Italianët krenohen dhe këndojnë këngë që në krye të shtetit të tyre kanë patur “Un partigiano come presidente” (një partizan president).

Nuk është vetëm çështje frymëzimi. Është çështje vetëdije. Është çështje krenarie. Është kultura e nderimit.

Vetëdija dhe kultura e nderimit e çoi popullin italian të zgjedhë presidentin e paharruar Sandro Pertini, bashkëluftëtarin antifashist dhe shokun e prangave të Zai Fundos në burgun e Ventotenes , për t’u krenuar me të e për të shpërfaqur si vlerë para gjithë botës, antifashizmin e një populli që e pagoi shtrenjtë fashizmin e regjimit të Musolinit.

Në  80-vjetorin e çlirimit të atdheut, edhe presidenti i Shqipërisë mund t’i bënte një nderim të veçantë presidentit Alfred Moisiu, si i vetmi president antifashist i gjallë në të gjithë Europën dhe si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë mënyrë, ai do të nderonte gjithë atë brez dhe atë epokë, do të nderonte gjakun e derdhur dhe sakrificat e mëdha që i dhanë Shqipërisë mundësinë dhe meritën të radhitej si kontributore e rëndësishme në Koalicionin e Madh Antifashisht Botëror.

Ne e kemi gjallë dhe me shëndet të mirë presidentin tonë antifashist. Nuk po them t’i këndojmë këngë siç bënë italianët me presidentin e tyre antifashit. Por nderimin ia kemi borxh.

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen e ka nderuar presidentin Alfred Moisiu me dekretin e 11 korrikut 2019, me Medaljen e Madhe të Artë të Nderit.

Presidenti i Shqipërisë ende nuk e ka bërë. Ka edhe një mundësi. Jo vetëm për të nderuar presidentin tonë antifashist Alfred Moisiu. Dhe as vetëm për të nderuar Luftën Antifashistë Nacionalçlirimtare dhe antifashizmin shqiptar. Por edhe për të nderuar shtetin, kryetar i të cilit është.

Nesër presidenti Alfred Moisiu do të mbushë 95 vjet. Një jetë e tërë në shërbim të popullit dhe atdheut. Dhe çfarë shërbimi; gjithë përkushtim dhe atdhetari.

Le ta përdorë presidenti Begaj këtë mundësi dhe ta nderojë presidentin Alfred Moisiu nesër në 95-vjetorin e lindjes me dekoratën më të lartë që jepet në Republikën e Shqipërisë.

Le të organizojë me këtë rast edhe një ceremoni shtetërore nderimi. Madje, bashkë me presidentin Alfred Moisiu mund të nderojë edhe antifashistë të tjerë me kontribute të mëdha.

Nderimi për Zai Fundin, Mustafa Gjinishin, Musine Kokalarin, Sejfulla Malëshovën, Petro Markon e të tjerë, është nderim për Luftën, është nderim për antifashizmin dhe qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së Shqipërisë.

Kush gabon me qendrimin ndaj antifashizmit, gabon jo me historinë, por me të ardhmen.