Nga qelia nr. 6, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka reaguar për lirimin e Sali Berishës, duke e quajtur një moment çlirues për demokratët dhe një fuqi e re për Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve. Salianji e nis me tone ironike, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po interpretohet lirimi i Berishës: “Berishën nuk e liruan, u çlirua! Ishte një imponim që më pas shpërtheu si çlirim energjizues për demokratët dhe një grusht i fortë për kundërshtarët.”
Ai thekson se izolimi i Berishës për gati një vit ishte një akt i padrejtë, ndërsa lirimi i tij erdhi si rezultat i presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar, duke përfshirë edhe rezolutat e PPE-së dhe IDC-së. “Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe izolimi i liderit të opozitës ishin pika e vlimit që e çuan drejt këtij çlirimi,” shkruan ai.
Salianji u bën thirrje demokratëve të shmangin dembelizmin politik dhe t’i shfrytëzojnë këto muaj deri në zgjedhje për të rritur kontaktet dhe energjinë në terren: “Rikthimi i Berishës në zyrë duhet të shoqërohet me një mobilizim total. Nuk kemi luksin e fataliteteve të së shkuarës.” Në letër, Salianji paralajmëron kundër manipulimeve politike dhe iluzioneve për marrëveshje të fshehta që mund të demotivojnë strukturat e PD-së: “Euforia për Berishën nuk duhet të shndërrohet në një barrë për të. Ai ka treguar strategji dhe durim, por tani çdo demokrat duhet të bëhet pjesë aktive e kësaj beteje.”
Në fund, Salianji nënvizon se këto zgjedhje janë jetike për demokratët dhe për të ardhmen e vendit. Ai thekson rëndësinë e çdo momenti të mbetur deri në ditën e votimeve: “Koha është i vetmi aset që kemi njësoj si kundërshtarët tanë. Çdo sekondë duhet shfrytëzuar për të çuar mesazhin te çdo qytetar, sado larg apo i zhgënjyer të jetë.” Me këtë letër nga qelia, Salianji kërkon të frymëzojë një valë të re energjie dhe bashkimi mes demokratëve, duke e vendosur lirimin e Berishës si simbol të një rruge të re drejt fitores.