Nga Ilir Yzeiri
Megjithëse atmosfera e festave të Nëntorit nuk është shuar ende, ajo shpullë e Flamur Nokës mbi fytyrën e një polici të pambrojtur, nuk duhet harruar. Partia Demokratike ka disa kohë që organizon protesta të dhunshme, të cilat ajo i quan « mosbindje civile ».
Herën e fundit, të martën më 26 nëntor, militantët dhe deputetët e saj bllokuan 6 pika kryesore të Tiranës duke paralizuar trafikun në kryeqytet në orën e pikut të lëvizjes së automjeteve. Në atë kohë, pjesa më e madhe e punjonësve të aktiviteteve private që ndodhen nga rrethrrotullimi i doganës e deri te kthesa për në Rinas, lënë punën e hyjnë në Tiranë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pikat e tjera të hyrjes në Tiranë nga lindja apo veriu. Kjo formë që ka zgjedhur PD-ja për të protestuar dhe për të shprehur kundështinë me qeverinë çmohet prej tyre si një mosbindje civile. Në fakt, shumica e komentatorëve politikë në vend nuk e quajnë mosbindje civile, por një formë obstruksionizmi apo një protestë të dhunshme që me vetëdije shkel apo dhunon rregullin e bashkëjetesës në komunitet.
Bllokimi i rrugëve dhe paralizimi i trafikut njihet si formë ekstreme e protestës dhe ajo zakonisht bëhet nga komunitete të caktuara të cilët kërkojnë të sensibilizojnë opinionin dhe t’i bëjnë presion qeverisë për të drejtat e tyre. Janë të njohura sidomos në Europë marshime apo bllokime të rrugëve nga fermerët të cilët protestojnë ndaj politikave të BE-së që penalizojnë prodhimin e tyre.
Në imazhin kolektiv ka mbetur ende protesta e jelekverdhëve në Francë që përfshiu atë vend para disa vjetësh dhe që u shfaq si manifestimi më i dhunshëm e më i ashpër i kohëve të fundit. Shqipëria është një vend i qetë dhe shoqëria shqiptare nuk beson shumë te organizimi civil për të kërkuar të drejtat e veta. Është e pakuptueshme se çfarë ka ndikuar, por te shqiptarët duket se është vrarë ndjenja e vullnetarizmit dhe organizmit të lirë.
Nëse në vitet e diktaturës, partia e komunistëve u tregua e kujdesshme deri në kufijtë e skajshëm që ta organizonte shoqërinë shqiptare në struktura sociale sipas gjinisë, kategorive sociale apo sindikale, pas rënies së saj, shqiptarët ende vazhdojnë të kenë alergji për organizime të tilla që ju kujtojnë organizatat e rinisë, zë pionierit, të veteranëve, të gruas apo të profesioneve të tjera.
Sot, shqiptarët, më së shumti, identifikohen me dy partitë e mëdha dhe nuk arrijnë të shkëputen nga ndikimi i tyre. Për fat të keq, edhe fromacionet e tjera që krijohen nuk arrijnë të krijojnë një frymë të re sepse të gjitha imitiojnë forcën politike që u krijua pas rënies se komunizimit dhe që krijoi një frymë e cila nuk po largohet as sot dhe që është berishizmi, që ngana e vet, është vazhdimi i enverizmit. Kështu, në mungesë të shoqërisë civile, në mungesë të popullit, partia demokratike po aplikon një formë të re proteste- kryengritjen e deputetëve.
Të zgjedhurit e saj, në mungesë të mbështetësve të popullit, por edhe të masave pd-iste, kanë marrë rolin e protestuesit të zemëruar dhe ata shfaqen nëpër rrugë e kryqëzime duke u ndeshur me policinë. Krijohet kështu një realitet absurd sepse deputeti merr rolin e shkelësit të ligjit në emër të protestës dhe vihet përballë policit që është aty për të ruajtur rendin e sigurinë dhe të ndëshkojë shkelësit e ligjit. Nëse protesta do të ishte popullore ajo nuk pyet dhe merr përpara këdo. Në rastin më të mirë mbushen sheshet e rrugët me mijëra e mijëra protestues të cilët tregojnë ashtu se janë shumica në këtë vend dhe mazhoranca duhet të bëjë llogarinë mirë në zgjedhjet e radhës.
Nëse janë shtresa apo grupe shoqërore të margjinalizuara siç ndodh në botë me lëvizjet antiestablishement ata kryejnë edhe akte dhunë, djegin e plaçkisin. Dhe pas ngjarjeve të tilla të gjitha anët e politikës distancohen nga dhuna. Vetëm në Shqipëri ndodh që deputetët e opozitës zëvendësojnë popullin dhe bëhen protestues të dhunshëm duke krijuar kështu modelin jo të drejtë që qytetarët e papërfaqësuar aty të kërkojnë rendin e qetësinë jo të politika por te qeveria. Politikanët e PD-së e përjashtojnë veten e tyre nga bashkëqeverisja demokratike në kuptimin që edhe opozita edhe pozita kanë disa parime të shenjta që i respektojnë.
Ata, sidomos, distancohen nga dhuna sepse në një shoqëri demokratike, ndërrimi i pushtetit bëhet me votë. Kjo situatë absurde prodhoi edhe një ngjarje të rëndë, ndoshta më të rëndën e këtyre kohëve edhe pse ishte vetëm një shpullë. Duke u identifikuar me dhunën dhe duke u fshehur pas imunitetit të deputetit, Flamur Noka, një nga drejtuesit kryesorë të këtyre manifestimeve bëri një gjest të rëndë- goditi strukutën antropologjike të shqiptarit. Ai shfaqet në një video duke qëlluar me pëllëmbë një polic që po kryen detyrën.
Ky është akti më burracak, më i pandershëm dhe më i dënueshëm. Çfarë përfaqëson aty Flamur Noka ? Një protestues i dhunshëm përleshet me policinë, e gjuan atë me gurë apo me mjete të tjera piroteknike dhe kjo është pjesë e lojës demokratike. Po Flamur Noka, ish-ministër i brendshëm, përse e qëllon me pëllëmbë një polic që qëndron pa lëvizur përballë tij ?
Në të gjitha kodet antropologjike të shqiptarëve, duke filluar që nga Statutet e Shkodrës e në të gjitha kanunet e vendit, goditja në fytyrë në një mjedis publik është fyerja më e rëndë që mund t’i bëhet shqiptarit. Nga ana tjetër, përveç kësaj, aty përballë njëri-tjetrit janë dy institcione- polici që përveçse është një entitet i nderuar ai është simboli i shtetit i së drejtës dhe Flamur Noka. Po ky, në emër të cilës së drejtë e qëllon policin e ndershëm e korrekt që nuk po bën asgjë. Këtu, sipas meje, degradimi moral e politik i kësaj kategorie politikanësh arrin kulmin dhe këtu shfaqet me gjithë ngjyrën e errët kalbëzimi moral i berishizmit.