Në një intervistë televizive, anëtari i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, komentoi largimin e papritur të Erion Veliajt për në Amerikë, duke theksuar se ky veprim nuk ka lidhje me ndonjë arsye zyrtare, pasi çdo vendim i tillë do të ishte pasqyruar në faqen e Bashkisë.
Alimehmeti sugjeroi se veprimet e Veliajt gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës tani po i rikthehen si pasoja të pandalshme, përfshirë hetimet pasurore ndaj tij dhe familjes së tij, të cilat kanë përkuar me paraqitjet e tij në SPAK.
Ai e vlerëson situatën si momentin më të dobët të Veliajt, duke e bërë atë më vulnerabël se kurrë, dhe theksoi ndryshimin e papritur të qëndrimit të tij. Alimehmeti gjithashtu lidhi këtë situatë me rënien e ndikimit të George Soros-it, të cilin e konsideron si një nga mbështetësit kryesorë të Veliajt. Sipas tij, ky ndikim i ka dhënë Veliajt një mburojë, që tani po humbet, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj pasojave të veprimeve të tij.
Fjala e plotë:
Arsyeja e largimit të Veliajt nuk ka lidhje me çështje zyrtare, sepse, po të kishte pasur, patjetër do të ishte bërë pjesë e agjendës dhe e pasqyruar në faqen zyrtare të internetit të Bashkisë.
Nuk ka detyrim ta paraqesë pranë Këshillit Bashkiak një angazhim të tillë, por, duke e njohur atë si person, duke ditur si operon dhe si shfaqet në çdo ekran e në çdo vend për gjërat më të vogla dhe më të parëndësishme prej vitesh, është shumë e qartë që, nëse do të ishte ndryshe, ai do ta kishte bërë publike menjëherë.
Kemi të bëjmë me një situatë ku nuk dihet arsyeja e saktë pse është larguar. Nuk dihet pse është larguar me aq nxitim dhe, për këtë, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të qartë. Nuk dua të spekuloj më tej, por ato zullume që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të Shqipërisë, duket se tani po e ndjekin nga pas.
Ka qenë vetë ai që ka nisur këtë histori, dhe dihet shumë qartë që ka disa çështje të hapura kundër tij. Po ashtu, është e qartë që ai dhe familja e tij janë nën hetim pasuror. Kjo situatë erdhi menjëherë pas paraqitjes së tij për herë të dytë në SPAK. Kujtoj që pas kësaj, qëndrimi i tij ndryshoi krejtësisht: nga ‘kolegët’ që kishte në prill, ata u kthyen në ‘sigurimsa’.
Ajo që po ndodh tani është veçimi i Erion Veliajt nga çështje që mund të çojnë më lart se ai. Dihet se dyshja Rama-Veliaj ka funksionuar bashkë, veçanërisht sa i përket vizionit të abuzimit me paratë tona. Tani, veçimi i tij për hetim pasuror është momenti kur ai mbetet krejtësisht i vetëm dhe më vulnerabël se kurrë. Ky është momenti i tij më i dobët, dhe duket se nuk po arrin ta menaxhojë as me gjuhën dhe komunikimin e tij të zakonshëm, të cilin shpesh e ka përdorur në rrjete sociale për të justifikuar situatën.
Kjo vërehet edhe në qëndrimin e tij sulmues ndaj institucioneve të drejtësisë, të cilat vetëm pak ditë më parë pretendonte se i mbronte.
Por, duhet të kujtojmë edhe momentin politik kur kjo po ndodh. Jemi në një kohë kur ndikimi i George Soros-it është në rënie. Kjo është shumë e qartë dhe dihet që Soros ka qenë mbështetësi kryesor i Veliajt. Nga ky ndikim ai ndjente mburojën që e mbronte nga çdo gjë që mund t’i ndodhte.