Ballina Kulturë Luigj Gurakuqi në Konferencën e Parisit 1919-1920

Luigj Gurakuqi në Konferencën e Parisit 1919-1920

37
0

Nga Lush Culaj

Luigj Gurakuqi është ndër figurat më të shquara të kombit tonë. Ai zë vend të rëndësishëm në historinë shqi­ptare të çerekut të parë të shekullit XX. Me luftën e tij për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit, ai la vu­lën e vet të pashlyer në analet e historisë. “Nuk ka ngjarje të ma­dhe politike, shoqërore e kulturore në çe­rekshekullin e shek. XX ku të mos ketë qenë prania e tij, të mos ketë spikatur patriotizmin e demokratizmin e tij. Dhe kjo figurë e shquar ngrihet akoma më madhështore në piedestalin e historisë po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879 dhe u rrit në gjirin e një familjeje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u përkujdes në mënyrë të veçantë i ati Pjetër Gurakuqi. Ai ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjerë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intele­k­tualëve të Shkodrës dhe me marrëdhënie tregtare me Ve­ne­di­kun e Milanon. I ndodhur përherë pranë të atit, Lui­gji dë­gjo­nte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat e shqip­ta­rë­ve kundër push­tuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqën ato.

Pas vitit 1906, Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar. Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për orga­nizimin e kryengritjes në veri. Në nëntor 1908 merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës At Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë nor­male që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malë­so­rëve të Mbishkodrës si njëri ndër udhëheqësit e saj. Harton së bashku me Ismail Qema­lin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq, siç njihet ndryshe, të malë­sorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprim­ta­ri të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjith­shme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë. Ishte bashkëpu­në­tori më i ngushtë i Ismail Qemalit dhe shkruesi i Dek­la­ratës së Mëvetsisë.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Kon­fe­re­ncën e Lon­drës më 1913, së bashku me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918, ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Pikë­risht edhe këndvështrimi ynë i trajtimit është kontributi i Gurakuqit në këtë konferencë ndërkombëtare.

Luigj Gurakuqi

Me mbarimin e luftës dhe largimin në tetor të vitit 1918 të austro-hungarezëve, në Kosovë u kthyen forcat serbe Vlen të theksohet se nga katër fuqitë kryesore fituese të luftës: Anglia, SHBA-ja, Franca dhe Italia, ve­tëm kjo e fundit ishte atëherë e interesuar që t’i përkrahte interesat te­rri­­toriale shqiptare në Kosovë, interesim ky që rridhte nga kontradiktat e Italisë me Mbretërinë SKS. Qeveria e Italisë ishte kundër ngritjes dhe konsolidimit të këtij shteti të ri në Ballkan. Duke mos pasur aleatë të tjerë mbrojtës Qeveria e Durrësit u mbështet pikërisht në përkrahjen te Qeveria e Ro­mës, me shpresë se do të për­fi­tonte në favor të çështjes kom­­bëtare. Mirëpo, pesha e kësaj qeverie si faktor ishte e vogël në krahasim me shtetet e tjera fituese, që i mbë­shtesnin pretendimet jugo­sllave dhe greke.

Interesat e shqiptarëve në Versajë do t’i përfaqë­sonin disa delegacione, por delegacioni kryesor ishte ai i Qeve­risë së Durrësit në përbërje: Turhan Pashë Përmeti, kryetar, imzot Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Luigj Gura­kuqi, dr. Mihajl Turtulli dhe Mustafa Kruja. Në kë­të delegacion patër Gjergj Fishta merrte pjesë si eks­pert. Shqipëria me­rr­te pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në kategorinë e katërt dhe vetëm me letërkëmbim, ose në rast se e ftonte njëra nga pesë Fuqitë kishte të drejtë ta dërgonte vetëm një delegat. Takimet personale ishin anësore (margjinale) dhe me njerëz pa ndonjë rëndësi të veçantë; kurse propaganda në shtyp ishte e pamundur, sepse gazetat me influencë, për simpati, për opinion, apo për para, anonin që të gjitha nga kundërshtarët tanë.

Konferenca që në fillim u kthye në arenë grindjesh e mosmarrëveshjesh ndërmjet vetë fuqive fituese të luftës. Këtu fjalën kryesore e kishin: Anglia, Franca, SHBA-ja dhe më pak Italia e Japonia. Rreth tyre vërti­te­shin shtetet më të vogla, të cilat kërkonin që të realizo­heshin pretendimet e tyre si shpërblim për aleancën në kohën e luftës, ndërsa fuqive të mundura të Bllokut Qen­dror s’u kishte mbetur gjë tjetër vetëm t’i prisnin ve­n­di­met e Konferencës.

Kërkesat konkrete të Qeverisë së Durrësit në Paqen e Versajës

Kërkesat, të cilat Qeveria e Durrësit, në emër të po­pu­llit shqiptar, i kishte paraqitur Konferencës së Versa­jës, ishin:

1) T’i kthehet shtetit shqiptar pavarësia të cilën e kishte njohur dhe garantuar Konferenca e Londrës e vitit 1913.

2) T’i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Malit të Zi me vendimet e Kongresit të Ber­li­nit dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913.

3) T’i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

4) T’i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

Këtyre kërkesave delegacioni qeve­ri­tar ua kishte bash­kë­ngjitur edhe hartën gjeografike të kufirit etnik të Shqi­pë­risë, i cili, sipas tyre, përfshinte terri­torin nga Gjini i Spicës (në veri të Tivarit), duke përfshirë brenda Tuzin, Ho­tin, Gru­dën, Triepshin, Podgoricën, duke e ndjekur ku­firin e Malit të Zi që kishte para vitit 1912 përfshihet Peja, Gjako­va, Mi­tro­vi­ca, Prishtina, Gjilani, Fe­ri­zaj, Ka­ça­niku, një pje­së e kaza­së së Shkupit, Tetova, Gosti­va­ri, Kërçova, Dib­ra për të arri­tur në mes të liqeve të Ohrit e të Prespës. Nga kjo pikë ku­firi ndjek vijën e vitit 1913 dhe del afër gjirit të Pre­ve­zës. “Në këto vise je­tojnë mbi 2 milionë shqiptarë, ku më tepër se gjysma janë lënë jashtë kufirit shqiptar, an­daj ne kërkoj­më që të jemi zotë të trevave shqiptare që na janë kë­putur me Kongresin e Ber­linit e me Konferencën e Londrës; kër­koj­­më pavarësi për tërësinë territoriale shqip­ta­re dhe shpër­blime eko­nomike për një numër të madh fsha­trash të djegu­ra nga grekët në Shqipërinë Jugore”, theksohet ndër të tjera në kërkesat e delegacionit qeveritar paraqitur në Versajë më 15 shkurt 1919.

Ajo që nuk di publiku i gjerë është se kush qenë ata, me emra, që e përfaqësuan Shqipërinë. Kush shkon në Pa­ris? Është vetë At Gjergj Fishta, një nga kolosët e historisë sonë, është diplomati i vjetër Turhan Pashë Meh­meti një personalitet i kohës, është imzot Luigj Bu­mçi, është edhe atdhetari i dalluar Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, një nga veprimtarët e kolonive shqiptare të mërgimit, pastaj Meh­met Konica. Mirëpo, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet dhe pavarësisht se si ishim të përfa­që­suar me personalitete të dë­shmuara kombëtarisht në këtë konferencë, duhet të sho­him edhe atë që ne bëmë gabim dhe jo vetëm atë që na mo­hu­­an. Po çfarë bëmë gabim? Shkuarja e shumë delega­cione­ve në Paris kur të tjerët shkuan me nga një. Pra, të tjerët ishin më kompaktë. Ata ziheshin me njëri-tjetrin, se­cili ki­sh­te mendimin e vet. Mund të shkonin bashkë dhe të na përfaqësonin mirë. Duhet të na kishin gjetur këtë gjuhë të përbashkët në një moment kaq vendimtar për fatin e vendit tonë, ndonëse shikuar realisht qëndrimet shqiptare përfille­shin fare pak nga faktorët vendimmarrës në Konfe­rencë.

Më 27 qershor 1919 Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Lu­igj Gurakuqi ia dërguan nga Parisi episkopit katolik në Shkodër një telegram, në të cilin thuhej: “Jugosllavët po i shumëfishojnë përpjekjet e tyre pranë Konferencës për të ane­ksuar Shkodrën, bregun e djathtë të Drinit, Lezhën e Mir­­­ditën. Prandaj, është tepër e rëndësishme që me shpej­­­tësi t’i sillet Konferencës nga ana e klerit katolik një pro­testë energjike kundër pretendimeve të tilla, duke dekla­ruar se elementi katolik shqiptar dëshiron të qëndro­jë në kuadër të Shqipërisë së pavarur.”

Menjëherë, më 4 korrik, përfaqësuesit e krahinave të Shkodrës iu drejtuan Konferencës së Paqes, duke dekla­ru­ar se Shkodra dhe Vlora janë dhe do të mbeteshin pikë­mbështetje të pandara të atdheut. Po më 4 korrik kemi letrën e popullit katolik të Dioqezës së Pultit, dërguar konferencës së Paqes, ku protestohet kundër pushtimit të Shkodrës, Lezhës e Mirditës nga jugosllavët dhe theksohej se interesi i kombit dhe i besimit e do që këto krahina të jenë pjesë e pandarë e Shqipërisë së pavarur.

Nga 28 qershori 1919 në krye të delegacionit qeve­ri­tar të qeverisë të Durrësit u vu Luigj Bumçi, ndërsa sekretar ishte Gjergj Fishta. Si duket Turhan Pashë Mehmeti e kuptoi se për të pasur gjasa fitimi ishte më e udhës se para kancelarive perëndimore të paraqitej një prift katolik sesa një ish-ambasador i Turqisë në Petërburg. Në të gjitha orga­ni­zimet dhe angazhimet e mundshme Luigj Gurakuqi i qëndroi afër Bumçit dhe e mbështeste me tërë qenien e tij. Kontributi dhe angazhimet e tij ishin të veçanta dhe përherë në shërbim të atdheut dhe çështjes kombëtare. Ai përherë mbante letërkëmbim dhe korrespodencë me atdhetarët shqi­ptarë që nuk gjendeshin në Paris për t’i informuar për gjendjen e fatit të atdheut në Paris.

Meqë gjendja në Konferencën e Parisit nuk shkonte siç pretendonin shqiptarët Luigj Gurakuqi, në një letër dër­guar Mi­hail Gramenos nga Parisi, më 7 gusht 1919, e njof­to­nte rreth qëndrimit të delegacionit shqiptar në Konfere­ncën e Paqes dhe shfaqte mendimin e tij mbi të ardhmen e Shqipërisë duke theksuar: “E dini mirë se mua më është mbushur mendja se sot e mbrapa kemi detyrë t’ua themi të drejtën shqiptarëve e të mos i ushqejmë me shpresa të te­përme, as të mos i gënjejmë mbi gjendjen e vërtetë të punë­ve të Shqipërisë. E dini se shqiptarëve nuk u pëlqen e drejta dhe e vërteta, kur është e hidhur, e se e shikojnë për armik atë që guxon e ua thotë, por unë nuk trembem për këtë; ata që do të më shajnë sot, do të më japin të drejtë nesër.” Pra, këtu vërehet një pesimizëm i Gura­kuqit lidhur me të ardhmen e Shqipërisë dhe kufijtë e saj.

Dërgata shqiptare në Paris, përfshirë këtu edhe Luigj Gurakuqin, më 10 shtator 1919, përmes një letre, kërkon nga krye­tari i Konferencës së Paqes që të ndikojë te Qeveria Jugo­sllave që të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve brenda këtij shteti. Në mbledhjen e përbashkët të dele­gacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, më 7 tetor 1919, rreth për­mbajtjes së notës që do t’i dërgohej konfe­re­ncës për çë­shtjen e pranimit ose të mospranimit të “asistencës” ita­li­ane, z. Gurakuqi, ndër të tjera, e shpreh mendimin se du­hej pro­testuar patjetër, pavarësisht se mendonte që Kon­ferenca vështirë se do t’i miratonte kërkesat e tyre. Me një letër Konferencës së Paqes, më 8 tetor 1919, iu drejtuan edhe për­faqësuesit e kolonisë shqiptare të Turqisë që kryekëput kërkonin nga Konfe­renca mospranimin e “asistencës” ita­li­a­ne mbi shtetin shqi­ptar.

Punë jashtëzakonisht të rëndësishme në dobi të at­dhe­ut bënte edhe gazeta “Dielli” që dilte në SHBA. Ga­zeta ish­te nder mjetet kryesore për të komunikuar me boten e jashtme dhe për t’ua bërë të njohura kërkesat shqiptare Fuqive të Mëdha në Konferencën e Parisit. Në këtë konfe­rencë drejtuesit e gazetës “Dielli” si dhe mbarë diaspora shqiptare e Amerikës kishin pasur shpresa të mëdha. Lu­igj Gurakuqi përpiqej që të mbante raporte të mira me udhëheqësit e gazetës “Dielli” dhe më të gjithë ata që do të kontribuonin për një zgjedhje të drejtë për shqiptarët në Konferencën e Parisit.

Më 6 mars të vitit 1919 drejtuesit e gazetës, duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vendimeve të mëdha historike, pasqyron përpjekjet për kompletimin e dele­ga­cionit shqiptar, me ç’rast e informonte opinionin se Mithat Frashëri, Luigj Bumçi e Faik Konica ishin ftuar të vinin menjëherë në Paris. Ajo informonte se Mithat Frashëri ishte kthyer nga Roma dhe se gjendej në Lozanë. “I përndrit­shmi Erikson është këtu prej kohe. Z. Anselmo Lorecchio dhe Ni­­ko­llë Kasneci janë të lirë të vijnë gjithashtu”. Gaze­ta informonte edhe për përpjekjet për ta sjellë në Paris edhe z. Sotir Peci. Opinioni njoftohej se Luigj Gurakuqi dhe Mus­ta­fa Kruja ishin prej kohe në Paris si ndihmës të delega­cionit zyrtar.

Pa dyshim se në faqet e gazetës “Dielli” nuk do të ana­shkaloheshin edhe kundërthëniet ndërmjet shqiptarëve dhe dinte të ngrite theksin autokritik me zë të kumbueshëm. Sigurisht që kjo gazetë në vazhdimësi të opinionit të saj, më 7 qershor, shkaqet përpiqet t’i shpjegojë edhe në ndry­shimet e mendimeve politike në mes të Turhan Pashës me disa shokë nga njëra anë dhe Konicës, Tortullit dhe disa shokëve të tyre nga ana e tjetër. Turhani mbron idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fi­shta e si duket edhe Mehdi Frashëri dhe Myfit Bej Libo­hova. Ndërkaq, Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndërhyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatarisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës “Die­lli” binte në kundërshtim me mendimin e Mihail Gra­menos, botuar në gazetën “Albania”, ku e gjykonte poli­tikën e Ko­nicës dhe Tortullit.

Lidhur me këtë ndryshim në krye të delegacionit qeveritar shqiptar, kur në vend të Turhan Pashës u vu Luigj Bumçi, për të mos krijuar hutim në opinionin shqiptar, përmes faqeve të gazetës “Dielli”, Mehmet Koni­ca shkru­an­te se në kuadër të delegacionit shqiptar mbre­tëronte marrëve­shje dhe harmoni e plotë. Ai, ndër të tjera, do të shkruante: “Tërë delegatët e kolonive shqiptare qën­droj­në rreth dërga­tës zyrtare e cila kryesohet nga Imzot Bumçi me anëtarë Mehdi Frashëri, Dr. Tortulli, Luigj Gu­ra­kuqi, Lef Nosi, Mehmet Konica. Faik Konica u emërua përfaqësues në Wa­shington dhe po presim pra­nimin e tij”.

Pikërisht, mbështetur në këto shkrime dhe në ima­zhin e keq të paraqitur për shqiptarët në Paris dhe në Evro­pë, delegacioni qeveritar luftonte që ta përmirësonte atë. Edhe Gurakuqi përpiqej që të përmirësohej imazhi i keq i shqip­tarëve, pavarësisht divergjencave në mendime që ekzistonin në mesin e përfaqësuesve shqiptarë.

Më 12 gusht kemi një letër të Luigj Gurakuqit, dër­guar Myfit Bej Libohovës në Romë, ku theksonte se, të frikësuar nga lajmet mbi marrëveshjen italo-greke, i kishin kërkuar takim z. Titonit, por ishin pritur nga z. De Mar­tino, i cili i kishte siguruar se Italia vetëm nuk mund që ta shpë­tonte Shqipërinë dhe se i nevojitej edhe mbështetja ame­ri­kane. Gurakuqi shprehej se po përpiqen me çdo kusht për ta fituar këtë mbështetje dhe mbante shpresë se do ta gjenin një përkrahje të tillë, duke iu lutur edhe atyre që të bëjnë të pamundurën për këtë qëllim. Edhe kjo letër hedh poshtë pretendimet dhe akuzat ndaj Gurakuqit si italofil. Realisht për jetësimin e interesave të atdheut shqiptarët gjithsesi du­hej kërkuar mbështetjen e ndonjë fuqie të madhe, por letra dëshmon se Gurakuqi ishte i gatshëm për bashkëpunim edhe me amerikanët dhe me këdo që mbështeste kërkesat e drejta shqiptare.

Edhe gjatë muajit shtator faqet e gazetës “Dielli” e pasqyronin punën e delegacionit tonë në Versajë si dhe vle­rësimet e veta për zgjidhjen e drejtë të problemit shqi­p­tar. Ajo konkludonte, me të drejtë, se e vetmja mënyrë më të cilën mund t’iu vihej fre ballkanasve, duke bërë edhe një balancë ndërmjet tyre, është të bëjnë një Shqipëri të fortë me kufij etnografikë.

Duke filluar nga disa faktorë si nga ardhmëria e vendit, por edhe nga lakmia për pushtet, e dobësitë e tjera të brendshme, si mosuniteti, shqiptarët në Versajë do t’i përfaqësonin shumë delegacione. Përveç fak­tit që në Paris u nisën disa delegacione shqiptare, ato në fillim ishin të përçarë në mes vete dhe përfaqësoheshin në këtë përbërje:

Delegacioni i Qeverisë së Durrësit: kryetari i Qe­verisë Turhan pashë Përmeti, imzot Luigj Bumçi, Meh­met Konica, Luigj Gurakuqi, dr. Turtulli dhe Mustafa Kruja.

Delegacioni amerikano-shqiptar: Nuredin Vlora, dr. Turtulli, Mehmet Konica, Parashqevi Qiriazi, Erik­so­ni (një filoshqiptar) dhe Mihajl Grameno.

Delegacioni i shqiptarëve të Stambollit: Halil pa­sha (ish-ministër i Punëve të Jashtme).

Delegacioni i shqiptarëve të Rumanisë: Pandeli Evangjeli, princ Gjika, dr. Ibrahim Temo, Dhimitër Berati, Pet­ro Goxhameni.

Delegacioni i shqiptarëve të Bullgarisë: Vanxho Tortulli, Salahudin Bloshi, Dhimitër Mano.

Përfaqësuesi i Shkodrës, Gjergj Fishta.

Përfaqësuesi i gjithë opozitës shqiptare që kishin shkuar në Versajë me ndihmën e serbo-malazezve ish­te Esat pashë Toptani.

Aty nga mesi i dhjetorit të vitit 1919 Luigj Gurakuqi nuk e ndjeu veten mirë. Lodhja, apo ndoshta “era” e Parisit, i krijuan një gjendje apatie. Njëfarë depresioni shpirtëror ishte shfaqur tek ai qysh në muajin nëntor. Mendoi se do t’i kalonte, por jo. E ndjente se duhej të ndërronte klimën me­doemos, përndryshe do të sëmurej në Parisin që po ia merr­te frymën. E ndiente veten përmbi të gjitha të lodhur. Nga punët e shumta kishte harruar veten, nënën e gjithë të afërmit! Kishte afro tetë muaj që s’u kishte dërguar qoftë edhe një letër. Sa qortime shiheshin në letrat e të vëllait, e megjithatë ai nuk gjente pak kohë të lirë për t’i shkruar.

Aktiviteti i delegacionit tonë qeveritar në Paris ishte jashtëzakonisht i dendur gjatë ditëve të konferencës. Për kë­të punë dhe angazhim merita të mëdha ka pa dyshim edhe Gurakuqi, i cili u përpoq me tërë qenien e tij që shqi­ptarët të përfitonin maksimumin e kërkesave të drejta shqip­tare paraqitur kësaj konference. Këtë e tregon e dhëna se, po ash­tu më 11 shkurt të vitit 1920, ky delegacion, në krye me Luigj Bumçin, ku pa dyshim një kontribut të çmuar dha edhe Gurakuqi, u dërgoi notë protestë përfaqësuesve krye­sorë të Konferencës së Paqes, nëpërmjet së cilës hidhte poshtë pikëpamjen, sipas së cilës populli shqiptar ishte i “papjekur” për vetëvendosje. Në atë notë, ndër të tjera, theksohej: “Duam të shpresojmë se Fuqitë e Mëdha do ta kuptojnë së fundi të vërtetën se do të ketë qetësi dhe rregull në Gadishullin Ballkanik vetëm atëherë kur popujt që jetojnë atje do të afrohen midis tyre në një frymë pajtimi dhe mirëkuptimi: por një marrëveshje e tillë do të bëhet e mundshme vetëm kur të respektohen të drejtat e të gjithë popujve”.

Me gjithë kërkesat e pareshtura të delegacionit qeve­ri­tar në Paris, në të cilat (kërkesa shkrime dhe memora­ndume) spikat edhe mendja e ndritur shpirti liridashës, at­dhe­taria e Gurakuqit, ku kërkohej që trevat shqiptare të shkë­putura nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe Kon­fe­renca e Londrës e vitit 1913 t’i bashkoheshin shtetit amë nuk gjetën mbështetje nga shtetet vendimmarrëse në këtë konferencë. Me gjithë këto përpjekje dhe angazhime, në Shqipëri qarkullonin edhe thashetheme të ndryshme në adresë të anëtarëve të delegacionit shqiptar në Paris. Nga këto nuk u kursye as Luigj Gurakuqi, duke u quajtur pjesë të agjenturave të huaja.

Megjithatë, nga konteksti i një letre që Gj. Kamsi ia drejtonte Gurakuqit më 10 janar 1920, dëshmohet se Maru­bi ia përshkruante gjendjen e vështirë, shpifjet në adresën e Gurakuqit dhe masat urgjente që duheshin marrë për ndali­min e kësaj fushate. Për më tepër Kel Marubi e njihte shu­më mirë karakterin e paluhatshëm të Gurakuqit dhe mos­ko­mpromisin e tij në dëm të çështjes kombëtare. Ai kishte pa­sur letërkëmbim me Gurakuqin edhe gjatë qëndrimit të Gu­ra­kuqit në Konferencë në Paris.

Pra, mbi angazhimin e delegacionit Qeveritar në Kon­fe­rencën e Paqes në Paris i shkruan Luigj Gurakuqi mikut të tij dhe fotografit të njohur nga Shkodra, Kel Marubit, më 23 mars 1919, ku, ndër të tjera, theksonte: “Prej doku­menteve qi po ju çoj keni per të marrë vesh punën që kemi bamun gjer me sot. Me shkrime dhe me gojë jemi mundue me i dal zot me të gjitha mënyrat të drejtave tona por mjerisht jemi tepër të vegjel e të pa ndihmë. Tu e pamum se nuk po shi­ko­het e drejta ashtu si duhet kemi kerkue plebishitin, pushti­min amerikan, tu e ditun se shumë të li­ga na vijnë prej Tra­k­tatit të Londrës 1915. Kemi pro­testue me energji kundër këti Traktati, që i jep Vlonën Italisë, Shkodrën Malit të Zi. Kemi protestue edhe kundër masa­kravet qi po bojnë jugo­slla­vët në Pejë, Gjakovë, Pla­vë, Gusinjë e sot kemi prega­ditur një protestë tjetër kundër të ligave qi po bëjnë serbët në Dibër!” Me përfundimin e Konferencës qën­dri­mi i mëtej­shëm i Gurakuqit në delegacion nuk kishte tash­më asnjë kuptim. Ai duhej të vinte në Shkodër e të merrte një pozicion të ri në këto kthesa të rëndësishme, historike. Do të ishte diçka e kotë të merreshim me shpifjet që u tri­lluan përsëri kundër L. Gurakuqit në fund të vitit 1919 e në fillim të vitit 1920. Ato nuk kanë asnjë dëshmi, përku­ndrazi dhe lexuesi që ka ndjekur veprimtarinë e tij në Kon­ferencën e Paqes e ka të qartë se ai e mbrojti pa u lo­dhur çështjen shqiptare e ndonjë inkosekuencë që është vërtetuar me këtë rast nuk ka asnjë lidhje me trillimet se ai gjoja ndiqte një politikë proitaliane.

Në rrethanat e jashtme dhe të brendshme, të krijuara në fillim të vitit 1920, pozitat e Shqipërisë u bënë tejet kri­tike, por, gjithashtu, duhet thënë se nuk u përmbushën të gjitha kërkesat e shteteve gllabë­ruese fqinje. Edhe pse Kon­fe­renca e Versajës nuk i mori parasysh më vendimet e saj, kërkesat e popullit shqiptar dhe të delegatëve të tij, për­pjekjet e atdhetarëve shqiptarë përbëjnë një dëshmi të paku­ndërshtueshme të vullnetit të shqiptarëve për të luftuar për mbrojtjen e pavarësisë dhe pacenueshmërisë së atdheut. Kjo dëshmohet edhe nga letra e Luigj Bumçit, dërguar Luigj Gura­kuqit, më 4 prill 1921, në të cilën theksonte se për­kthimi i bleut të dytë “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”, të cilën do ta përkthente Gurakuqi, do të ishte një dëshmi e mirë që “prej përmbajtjes së notave e shkresave që vijojnë kënduesit e ndershëm do ta shohin se dërgata shqip­tare nuk i asht largue asnjëherë udhës së marrë që në nisje. Në çdo kohë e në çdo rast ka qëndruar gjithmonë e patu­ndur mbi pikat themelore të kërkesave kombëtare”.

Figura moralo-politike e Luigj Gurakuqit mbeti në me­ndjet dhe në zemrat e atyre që e njohën, e deshën dhe e çmuan si mishërimin e gjithçkaje burrërore, fisnike e të pas­tër që i karakterizon patriotët tanë të shquar. Dashuria për kombin dhe atdheun që ndjenja më e fuqishme që mbushi tërë jetën e tij. Kjo qe edhe mbeti dashuria më e fortë që ai njohu sa jetoi. Ai luftoi tërë jetën për idealet më të larta të kombit e të popullit, aq sa mund ta linin rrethanat e vështira të asaj kohe dhe botëkuptimi i tij prej demokrati.

Një pjesë të mirë të jetës së tij Luigj Gurakuqi u mor me veprimtari politike, por ai nuk u nis kurrë nga qëllime ambicioze e karrieriste. Të gjitha këto ishin të huaja për të. Nuk kemi ambicie do të thoshte ai, e pra nuk bëjmë luftë karrigesh, po parimesh dhe idesh. Natyrisht me këto fjalë ai kishte parasysh veten e tij e atë kategori personalitetesh po­li­tike që vinin mbi gjithçka interesat e atdheut. Mjaft fakte dëshmojnë se Gurakuqi kurrë dhe në asnjë rast nuk u nis nga interesa vetjake. Përkundrazi, e tërë jeta e tij është një shembull i patriotit që flijon gjithçka për interesat e popullit e të atdheut. Edhe ndonjë gabim i vërtetuar në jetën e tij, nuk duhet gjykuar si një veprim i shtyrë nga etja për lavdi e për pushtet. E vetmja ambicie e tij ishte që të luftonte për të ngritur sa më lart lavdinë e atdheut e të popullit të vet që ai të ishte në një radhë me të tjerët, bile edhe më mirë se të tjerët.