41 vite pritje për të fituar një tjetër trofe evropian. Nga “ferri në parajsë”, pa frikë i tillë mund të konsiderohet sezoni i Tottenham Hotspur. Europa League ishte “varka” e fundit e shpëtimit, “gjelat” arrin ta kapin duke e kthyer në festë këtë sezon që po shkonte për dreq. Në finale, Tottenham triumfon 1-0 ndaj Man.United, mbyll sezonin me një trofe dhe për më tepër, arrin të sigurojë një biletë për në Champions League sezonin e ardhshëm. Për ironi të fatit, Tottenham arrin të fitojë një trofe pa Harry Kane. Man.Unitd mbyll një sezon të dështuar totalisht, pa trofe dhe jashtë Evropë.
Në Bilbao pritej një finale e luftuar për çdo top dhe ashtu ndodhi ku vetëm detajet bënë diferencën. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 42-të, Johnson arriti të dërgojë topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonë. Në fraksionin e dytë, Man.United tentoi në çdo formë të shmangte humbjen, por pa sukses, me Tottenham që mbrojti portën me fanatizëm duke e kthyer në festë fundin e kësaj finaleje.
Pas festës në fushë, tifozët e Tottenham shoqëruan ekipin në rrugën e Bilbaos dhe më pas në kthimin e tyre në Londër pasi për ta kjo ishte një ditë e shënuar, një trofe që i mungonte kaq shumë një ekipi si Tottenham, i investuar fuqishëm, por kurrë nuk kishin arritur të fitonin një trofe të rëndësishëm.