Elon Musk, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit të SHBA-së Donald Trump… të paktën deri para pak ditësh, ka bërë një deklaratë tejet të fortë teksa shkruan se Trump shfaqet në dosjet e Jeffrey Epstein.
“Koha për të plasur bombën e madhe:@realDonaldTrump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike.Kalofshi një ditë të mbarë, DJT!”
Sipas ish-shefit të DOGE, agjencisë që u themelua me fitoren e Trump dhe që ndërmori operacionin për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, qenia e Donald Trump në dosjet e Epstein janë arsyeja pse ato nuk janë bërë ende publike.
Pak muaj para se Trump të niste fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024, Elon Musk, një manjat i teknologjisë dhe anëtar i klubit të njohur me nofkën *“PayPal Mafia” u rrështua haptazi në mbështetje të Trump duke shpenzuars shuma të mëdha parash dhe rrjetin social X që bleu në fushatën e presidentit amerikan.
Dyshja ishin bashkëpunëtorë të ngushtë për një periudhë disamujore teksa Musk organizoi një operacion të gjerë për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, operacion që ngjalli jo pak pakënaqësi, xhelozi e armiqësi. Megjithatë DOGE kishte mbështetjen e plotë të Trump dhe Musk konsiderohej si personi më i afërt i presidentit amerikan. Ndër operacionet më me ndikim që ndërmori Musk ishte mbyllja e USAID, por jo vetëm.
Pak ditë më parë marrëveshja mes të dyve pësoi krisje, sipas mediave amerikane për shkak të kundërshtimit publik të Musk ndaj projektligjit gjithëpërfshirës të Trump për shkurtimin e taksave dhe shpenzimeve. Trump e sulmoi Musk-un duke shkruar se ishte i zhgënjyer me të.
“Unë dhe Eloni kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do e kemi më,” tha Trump në Zyrën Ovale, në përgjigjen e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj kritikave të Musk.
“Ai ka thënë vlerësimet më të mëdha për mua dhe asgjë të keqe, deri tani, por jam i sigurt se do e bëjë. Por unë jam shumë i zhgënjyer me Elonin. E kam ndihmuar shumë Elonin.”
Musk u kundërpërgjigj në platformën e tij sociale X duke thënë se Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet pa ndihmën e tij, duke postuar: “Çfarë mosmirënjohjeje.”
Trump u kundërpërgjigj në platformën e tij Truth Social, duke e akuzuar Musk se është “ÇMENDUR” dhe e paralajmëroi me ndërprerje të kontratave federale.
Shefi iTesla dhe SpaceX shpenzoi rreth 290 milionë dollarë në mbështetur kandidaturën presidenciale të Trump në vitin 2024, së bashku me fushata të tjera republikane.
Ajo që shumë në qarqet politike thashethemexhie të Uashingtonit e quajtën “bromancë” midis tyre, tani duket se ka mbaruar, sipas mediave në SHBA.
Pak ditë më parë, drejtori i FBi-së Kash Patel tha se qeveria nuk kishte ndonjë nxitim për sa i përket publikimit të Dosjes Epstein.
Pak muaj më parë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi urdhëroi publimin e dosjeve të para të Dosjes Epstein. Ky i fundit u akuzua dhe dënua për abuzim seksual e shfrytëzim të më shumë se 250 vajzave të mitura në shtëpitë e tij në Nju Jork dhe Florida, ndër të tjera. Ai u vetëvra në një burg të Nju Jorkut më 9 gusht 2019.
*(PayPal Mafia i referohet një grupi ish-punonjësish dhe themeluesish të PayPal të cilët më pas themeluan dhe zhvilluan kompani të suksesshme teknologjike, veçanërisht në Silicon Valley. Ky grup përfshin individë si Elon Musk (SpaceX, Tesla), Peter Thiel (Palantir Technologies, Affirm) dhe të tjerë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në industrinë e teknologjisë.)
Për çfarë po i referohej Musk?
Të ashtuquajturat “dosjet Epstein” janë një koleksion i gjerë dokumentesh gjyqësore, ditarësh, kontaktesh telefonike, regjistrimesh të lidhura me financierin e New Yorku-t, Jeffrey Epstein, i arrestuar në korrik 2019 për trafikim seksual të të miturve dhe i cili kreu vetëvrasje në qelinë e tij një muaj më vonë.
Epstein u akuzua se kishte krijuar, në fillim të viteve 2000, një harem vajzash të moshës 13 deri 15 vjeç, të përdorura për të kënaqur kënaqësitë seksuale të një rrethi të vogël miqsh.
Dosjet kryesore të hetimit janë katër.
“Libri i Zi”, libri personal i adresave të Epstein në të cilin milioneri kishte shkruar qindra emra dhe numra telefoni të njerëzve me ndikim, përfshirë politikanë, biznesmenë dhe yje të Hollivudit, nga ish-kryeministri britanik Tony Blair te ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, manjatët Les Wexner, Richard Branson, David Rockefeller dhe Rupert Murdoch, aktorët Alec Badwin, Chris Tucker, këngëtari Mick Jagger dhe stilisti Tom Ford.
Ata që janë në listë, kanë specifikuar hetuesit, nuk nënkuptojnë direkt përfshirje në rrjetin seksual të krijuar nga financuesi.
Dosja e dytë ka të bëjë me “regjistrin”, regjistrin e fluturimit në avionin e tij privat, Lolita Express, i përdorur për të transportuar ‘mysafirë’ të profilit të lartë në pronat e tij, përfshirë një ishull privat në Ishujt e Virgjër.
Dosja e tretë ka të bëjë me dëshmitë e viktimave dhe bashkëpunëtorëve.
Dosja e katërt përmban dokumentet e çështjeve civile dhe penale kundër Epstein dhe ish-të dashurës e bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, e cila u dënua me 20 vjet burg.
Emri i Trump në fakt kishte dalë tashmë në hetim sepse ishte përmendur në librin telefonik.
Një faqe renditi numrin e celularit të manjatit dhe atë të anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë fëmijët e tij Ivanka, Donald Jr. dhe Eric.
Aktualisht nuk ka prova konkrete në regjistrat e fluturimit që Trump kishte hipur në Lolita Express.
Në vitet 1990, manjati e kishte lavdëruar miqësinë e tij me Epstein, duke kujtuar se të dyve u pëlqenin “gratë e bukura, madje edhe ato të reja”. Më pas, me arrestimin e financierit në vitin 2019, Trump u distancua.
Megjithatë, Musk, me postimin e tij, sugjeron se mund të ketë zbulime të bujshme në lidhje me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe se ato do të ishin mbuluar nga Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Pam Bondi, e cila nga ana tjetër u akuzua nga opozita se ishte nën urdhrat e Trump.
Bondi kishte njoftuar më parë qëllimin e saj për të publikuar dosjet e hetimit, por më pas u kufizua duke treguar vetëm disa fragmente, duke provokuar protesta nga mbështetësit e presidentit.
Për vite me radhë, baza e teoricienëve të konspiracionit të lëvizjes “Trumpian Maga” kishte akuzuar demokratët se kishin mbuluar gjithçka në mënyrë që të mos zbulonin përfshirjen e liberalëve të mëdhenj.
Ndër njerëzit e përmendur nga dëshmitarët ishin edhe Princi Andrew, ish-presidenti Bill Clinton dhe bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates.







