Është identifikuar 43-vjeçari i cili u vra mesditën e djeshme në rrugën “Eirinis” në Agia Paraskevi të Greqisë, me të paktën tre plumba në qafë.
Sipas mediave greke, 43-vjeçari është me origjinë norvegjeze, profesor dhe baba i dy fëmijëve.
Policia greke arriti të identifikojë viktimën falë çelësave që ai mbante me vete, si dhe dëshmive nga personat e pranishëm në zonë.
Autori kryesor i dyshuar për vrasjen në gjakftohtësi është ish-bashkëshorti i partneres së viktimës, i cili aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Sipas dëshmitarëve, autori është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë, pasi ka qëlluar disa herë me armë drejt viktimës. Ende nuk është e qartë nëse ai kishte një mjet transporti të parkuar afër dhe u largua i vetëm, apo nëse ndonjë person tjetër e ndihmoi të ikë nga vendi i krimit.
Sipas dëshmive, autori i krimit kishte veshur rroba të zeza e maskë dhe dyshohet se është larguar me vrap drejt rrugës Evergetou Giavasis.
Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima nuk kishte pasur kurrë më parë ndonjë kontakt me autoritetet apo ndonjë përfshirje në çështje penale.