Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga një nismë e re e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Global), e cila synon të përshpejtojë rritjen e qëndrueshme të sektorit privat në rajon.
Instrumenti për Inovacion dhe Transformim të Gjelbër (IGTF) është një iniciativë e re që mbështet Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke forcuar integrimin e gjashtë vendeve të rajonit në agjendat e gjelbra dhe digjitale të Bashkimit Evropian.
Ky instrument do të kombinojë 170 milionë euro në formë huash dhe 17 milionë euro në formë grantesh, të akorduara në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Qëllimi është të mbështeten ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ato me kapitalizim të mesëm, për të avancuar në fushat e dixhitalizimit, inovacionit dhe tranzicionit të gjelbër.
Financimi do të shpërndahet përmes bankave tregtare dhe institucioneve financiare lokale, duke u fokusuar në investime për sigurinë kibernetike, zhvillimin e produkteve, bujqësinë e qëndrueshme, turizmin ekologjik dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.
Përveç mbështetjes financiare, IGTF do të ofrojë edhe asistencë teknike për përmirësimin e gatishmërisë për investime dhe ndërtimin e kapaciteteve.
Kjo mbështetje do të shtrihet edhe në inkubatorë, parqe shkencore dhe qendra kërkimore në të gjithë rajonin, duke përfshirë mentorim, trajnim dhe shkëmbime stafi për të nxitur ekosistemet e inovacionit, transmeton RTSH.
Me këtë program, Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) synon të fuqizojë bizneset lokale, të rrisë konkurrueshmërinë e tyre dhe të nxisë një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.







