Mijëra nxënës, studentë dhe mësues kanë dalë në rrugët e Athinës të enjten, në një protestë të organizuar për të kërkuar më shumë financim për shkollat publike dhe përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore, shkrun Euronews.
Sipas raportimit të mediave të huaja, protesta nisi në orën 11:00 para Universitetit të Athinës, prej nga pjesëmarrësit marshuan drejt sheshit Syntagma, ku ndodhet Parlamenti grek.
Protestuesit u shfaqën me pankarta dhe banderola përmes të cilave kërkuan arsim publik falas dhe kushte më të mira për nxënësit e studentët. Ndër mesazhet e tyre ishte edhe slogani “Nga Greqia në Francë, ne luftojmë për arsim publik falas”, si dhe thirrja në gjuhën frënge “Etudier ou survivre?” (“Të studiosh apo të mbijetosh?”).
Kjo e fundit është huazuar nga lëvizja protestuese e nxënësve në Francë, duke treguar se pakënaqësitë për gjendjen e arsimit po shtrihen edhe përtej kufijve të një shteti.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendje gjatë protestës ishte hedhja e thasëve me mbetje ndërtimore para Parlamentit. Përmes këtij veprimi, protestuesit synuan të paraqesin gjendjen e shkollave të amortizuara dhe problemet infrastrukturore me të cilat përballen çdo ditë nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në mesin e shqetësimeve të ngritura ishin çatitë që pikojnë, muret e dëmtuara dhe radiatorët e prishur, probleme që sipas protestuesve dëshmojnë nevojën për investime urgjente në institucionet arsimore.
Protesta në Athinë është pjesë e një vale më të gjerë mobilizimi për arsim më të financuar dhe kushte më dinjitoze, e cila është përhapur në disa vende të Evropës Jugore.







