Carlo Ancelotti është dënuar nga drejtësia spanjolle me një vit burg për evazion fiskal të kryer në vitin 2014, gjatë sezonit të tij të parë te Real Madrid.
Për vitin 2015, ai është shpallur i pafajshëm. Gjithashtu, trajneri aktual i përfaqësueses së Brazilit është gjobitur me 386 mijë euro. Dënimi nuk parashikon burgim efektiv, pasi Ancelotti nuk ka precedentë penalë dhe dënimi është nën dy vjet.
Gjykata e Madridit ka vendosur gjithashtu që Ancelotti të mos përfitojë subvencione publike apo lehtësime fiskale për tre vite. Prokuroria e kishte akuzuar për një evazion prej mbi 1 milion euro në total për periudhën 2014–2015.
Ancelotti ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë shkelje, duke theksuar se struktura e kontratës me të drejtat e imazhit ishte një praktikë e zakonshme në atë kohë. Ai ka përmendur edhe rastin e trajnerit paraardhës Mourinho si shembull të ngjashëm.