Ballina Kulturë Pjetër Arbnori – Jeta si përpjekje për të mbetur Njeri

Pjetër Arbnori – Jeta si përpjekje për të mbetur Njeri

16
0

Nga Namir Lapardhaja 

Më 8 korrik u mbushën plot 19 vjet nga ndarja nga jeta e Pjetër Arbnorit, personalitetit që u bë simbol i qëndresës së heshtur dhe pathyeshmërisë ndaj regjimit komunist.

“Mandela shqiptar” vuajti 28 vite në burgjet e diktaturës komuniste, nga mosha 26 deri në 54 vjeç, mirëpo as qelitë e errëta, as vetmia dhe as dhuna nuk arritën t’ia shuajnë dritën e brendshme që e mbante gjallë: dëshirën e paepur për të mbetur njeri.

Në çdo etapë të jetës, në vuajtje, në shkrim, në politikë, ai u përpoq të ruajë pikërisht ndërgjegjen, si rrallë që ndodh në politikë.

Në një letër prekëse drejtuar nënës nga burgu i Burrelit, më 2 korrik 1979, Arbnori shkruante: “Ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi, ose të shtoja vitet e mia të burgut… Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme. E rëndësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi.”

Një rrëfim i thjeshtë, por që peshon si një testament për brezat e ardhshëm.

Ndërsa në dosjen e përpunimit aktiv 2A, pas arrestimit të dytë më 30 janar 1979, regjimi shënonte me shqetësim fjalët që kishte thënë: “Janë njerëz e shtet pa dinjitet. Nuk pyesin për njeriun dhe dinë vetëm të gënjejnë. Nuk kanë parime dhe prandaj na trajtojnë si kafshë. Ndjekin vijën e Stalinit. Ato krime i kanë bërë si në Rusi, bile edhe më tepër po e bëjnë me ne.” 

Dhe më tej: “Socializmi vendoset në vendet ku ka injorancë. Në Amerikë, Angli, Francë, nuk mund të vendoset socializmi. Atje njerëzit janë të pasur dhe nuk ka varfëri.”

Për Arbnorin, fjala kishte peshë më të madhe se vetë liria fizike, ndërsa karakteri ishte i panegociueshëm.

Përtej qëndresës, ai ishte edhe një penë e spikatur, një shpirt krijues që gjeti strehë te letërsia.

Romanet “Mugujt e Mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë” – për të cilin mori edhe një dënim shtesë prej 10 vitesh – si dhe novelat “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, ndërtojnë një univers ku liria, nderi dhe kujtesa janë themelet e rrëfimit.

Vepra e tij dokumentare “Nga jeta në burgjet komuniste” mbetet një dëshmi e pazëvendësueshme e asaj që do të thotë të rezistosh me dinjitet.

Pas rënies së regjimit, Arbnori u kthye në një nga zërat më të urtë e më të respektuar të skenës politike, një figurë e çmuar në Partinë Demokratike dhe më gjerë.

Emri i tij do duhej t’i ishte vendosur një fondacioni në këtë parti, mirëpo filozofia dhe urtësia e tij shkon në linjë të kundërt me zhvillimet aktuale brenda saj.

Gjithsesi, me kontributin dhe jetën e tij Pjetër Arbnori tregoi se nuk ishte njeri i zakonshëm. Ai ishte ndër të rrallët që, përmes thjeshtësisë, qëndresës dhe karakterit, tregoi se liria e vërtetë nuk matet me kohën reale, por me aftësinë për të mos shitur shpirtin.