Ballina Editorial Berisha rri, Dumani ik

Berisha rri, Dumani ik

25
0

Ky është refreni i përditshëm i drejtuesve të PD-së, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, anëtarët e kryesisë dhe e kujtdo në këtë parti që jep një intervistë, bën një koment apo artikulon diçka në publik.

Fatkeqësisht në këtë parti nuk ka asnjë garë idesh, asnjë përpjekje për ta nxjerrë nga bataku ku ka rënë apo ndonjë mendim për t’u ringritur, sepse çdo diksutim ku mund të merrte pjesë arsyeja dhe logjika është zëvendësuar nga kori i zhurmshëm, ku refreni është i njëjtë: “Berisha rri”. (Përtej të gjithave, absurde është se si mund të kërkosh që dikush të rri pa e shtruar askush më parë që duhet të ikë!)

Kjo që po ndodh në PD nuk është një përpjekje politike, është një garë se kush duhet të tregohet më shumë i bindur ndaj njëshit. Është një paradë lojaliteti ndaj një njeriu dhe jo ndaj një ideje. Askush nuk guxon të thotë “Berisha duhet të largohet”. Mund të ketë që e mendojnë, por askush nuk merr guximin ta thotë.

Në anën tjetër, i njëjti refren artikulon një sulm të organizuar ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, duke e kthyer atë në target linçimesh të përditshme, sikur të ishte ai kundërshtar i tyre dhe jo Edi Rama. U ka ngel t’i kërkojnë llogari jo pse nuk e ka arrestuar Ramën përpara zgjedhjeve (sepse edhe po ta kishte bërë, sërish ata do të kishin humbur), por t’i kërkojnë llogari pse nuk ua dha Dumani fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit me pretencë prokurorie në tavolinë!

“Berisha rri, Dumani ik” nuk është thjesht një refren absurd i kësaj vere të nxehtë, por është manifesti i një partie që nuk kërkon më të qeverisë, por vetëm të ruajë karriget brenda vetes, pavarësisht se çfarë ndodh përtej oborrit të saj.

E gjitha kjo vjen si rezultat i asaj se PD është shndërruar në një parti që e ka kthyer besnikërinë ndaj Berishës në kusht për ngritje politike dhe për karrierë.

Para së gjithash, ndodh sepse në shtator do të ndahen postet brenda partisë vetëm sipas këtij kriteri: kush ka thirrur më fort Berisha rri dhe kush ka bërtitur më shumë Dumani ik.

Prisni dhe do shihni. PD nuk është më në garë me Edi Ramën. Ajo është në garë me vetveten, se kush është më i zëshëm në një betejë që e ka humbur pa e nisur.