Nga Alba Kepi
MILANO – Një hetim i nisur nga Prokuroria e Milanos ka nxjerrë në dritë një nga episodet më të errëta të luftës në Bosnje. Disa shtetas italianë dyshohet se paguanin për të shkuar në kodrat mbi Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit, ndërmjet viteve 1992 dhe 1996, dhe për të vrarë civilë të pafajshëm si turistë snajperë. Hetimi ka hapur një dosje për vrasje të shumfishta të kryera me mizori dhe motive të ultë, duke tronditur opinionin publik italian dhe duke ngritur pyetje mbi indiferencën morale të një pjese të shoqërisë së pasur.
Shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, që ka nisur hetimin, e konsideron këtë çështje shumë personale. Ai shpjegon:
“Është shumë personale. Është historia e jetës. Nxjerr në dritë një pjesë të shoqërisë që fsheh të vërtetën. Një shoqëri që jeton me dukjen.”
Sipas tij, bëhet fjalë për njerëz të pasur dhe me reputacion të lartë, biznesmenë dhe persona me ndikim, që gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të vrarë civilë të pafajshëm dhe pastaj ktheheshin në jetën normale, të respektuar nga të gjithë. Ai përshkruan situatën si një formë të indiferencës së së keqes:
“Po flasim për njerëz të pasur, me reputacion, biznesmenë, që gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të vrarë civilë të pafajshëm. Niseshin nga Trieste për gjuetinë e njerëzve. Dhe pastaj ktheheshin dhe vazhdonin jetën e tyre normale, të respektuar nga të gjithë. Njerëz me pasion për armët, që e shfrytëzonin atë, që preferonin të shkonin në gjumë me armën pranë, me para në dispozicion dhe kontaktet e duhura midis Italisë dhe Serbisë. Kjo është indiferenca e së keqes: të bëhesh Zot dhe të mbetesh i pandëshkuar.”
Hetimi nisi si një kureshtje personale e Gavazzen-it, pas leximit të artikujve dhe dokumentarëve që përmendnin prezencën e snajperëve turistë në kodrat mbi Sarajevë, ku ndodhej ushtria serbe. Ai tregon:
“Unë jam i lindur në vitin 1959. Atëherë lexova artikuj që hipotezonin praninë e snajperëve turistë, jo ushtarë, në kodrat mbi Sarajevë ku ndodhej ushtria serbe. Më la një përshtypje dhe e mbajta mend. Pastaj dokumentari i shpërndarë në vitin 2023, Sarajevo Safari, rilidhi interesin.”
Gavazzeni ka mbledhur shumë prova për të mbështetur kallëzimin e tij në prokurori:
“Prokurori i ka të gjitha”
Sipas një burimi nga Bosnja, inteligjenca boshnjake në fund të vitit 1993 kishte njoftuar selinë lokale të shërbimit sekret italian për praninë e të paktën pesë italianëve, që ndodheshin në kodrat përreth Sarajevës dhe që ishin shoqëruar për të qëlluar mbi civilët. Por, sipas hetimeve, numri i vërtetë i turistëve snajperë mund të ketë qenë shumë më i madh, që paguanin për të qëlluar mbi civilët e pafajshëm gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak midis 1992 dhe 1996. Kallëzimi i shkrimtarit Gavazzeni, në bashkëpunim me avokatët Nicola Brigida dhe ish-gjyqtarin Guido Salvini, çoi në hapjen e një hetimi nga Prokuroria e Milanos për vrasje të shumfishta të kryera me mizori dhe motive të ultë.
Prokurori milanez i specializuar në antiterrorizëm, Alessandro Gobbis, është gati të thërrasë dëshmitarët e parë për të identifikuar italianët që morën pjesë në këtë safari lufte. Një ish-agjent i inteligjencës boshnjake ka rrëfyer:
“Punova në shërbimin e inteligjencës ushtarake të ushtrisë boshnjake. Ndanim informacionet me oficerët italianë sepse kishte tregues se grupe turistësh snajperë po niseshin nga Trieste.”
Në kallëzimin prej 17 faqesh thuhet se midis këtyre italianëve ishte një njeri nga Torino, një nga Milano dhe një tjetër nga Trieste. Njëri prej snajperëve italianë të identifikuar mbi kodrat e Sarajevës në 1993, sipas raportit, ishte pronar i një klinike private estetike në Milano.
Konsulli boshnjak në Milano, Dag Dumrukcic, ka siguruar bashkëpunim të plotë nga qeveria e tij:
“Jemi të paduruar të zbulojmë të vërtetën për këtë ngjarje kaq të egër për të mbyllur llogaritë me të kaluarën. Kam informacion që do t’ua dorëzoj hetuesve.”
Prokuroria ka vendosur të sigurojë dokumentet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavinë, ndërsa dëshmitari amerikan J.J., ish-punonjës i zjarrfikëses në Sarajevë gjatë rrethimit, kishte folur që atëherë për “snajperët turistë”.
Ish-agjenti 007 ka treguar se midis viteve 1992 dhe 1996 grupe të huaj, të pozicionuar në kodrat përreth qytetit, qëllonin mbi civilët. Ky rast nuk është vetëm një histori lufte, por edhe një reflektim mbi shoqërinë që fsheh mizoritë e veta nën dukje të respektueshme, duke treguar se individë të pasur, me reputacion dhe lidhje, mund të bëhen pjesë e mizorive më të tmerrshme, duke vënë jetën e civilëve në rrezik për argëtim personal dhe kënaqësi morale.







