Ballina Opinion Flori që nuk bën humor me ndërgjegjen!

Flori që nuk bën humor me ndërgjegjen!

224
0

Nga Osman Stafa

Florjan Binaj nuk është vetëm një artist. Është një qytetar që ka guxuar të dalë nga skena dhe të hyjë në realitetin e hidhur të këtij vendi.

Kur shumë kolegë të tij zgjodhën të heshtin, Flori foli.
Kur të tjerë u fshehën pas kamerave, pas pushtetit, pas frikës, pas lekut, ai doli në rrugë me zë dhe fytyrë.
Ka qenë mes protestuesve kundër rritjes së çmimeve të shportës e karburanteve. Ka qenë mes nesh, në protestën për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në spitalin Onkologjik.
Flori që unë njoh nuk ka zgjedhur të jetë lëpirës i pushtetit, por zë i njerëzve të zakonshëm.

Disa e sulmojnë me foto nga imitimet e Ramës në skenë, duke harruar se ai është artist. Po çfarë logjike e çalë është kjo? Edhe logjika do ndihej e turpëruar nga kjo logjikë.
Doktor Flori dikur i këndoi Ramës me “Çohu shqiptar”, por kur pa se premtimet u tradhtuan, këndoi “Zemerthyer”. Arti e pasqyron jetën, por nuk i shërben kurrë mashtrimit.

E sulmojnë se ka foto me Erion Veliajn. Aty nuk ka ndarë pazare, as ka ndarë tendera, as ka vjedhur paratë e taksapaguesve, por ka qënë në një aktivitet për të ndarë ushqim nevojtarëve. A ka krim këtu? Po nëse do ishte i Velijat, besoj do e kishte kap një koncert apo shfaqje të sponsorizuar nga bashkia apo jo?

Na thonë se “nuk mund t’ia besojmë Tiranën një humoristi”.
Po pse ia kemi besuar tre mandate një piktori? Dhe katër të tjera në nivel kombëtar?
Flori nuk është vetëm humorist, është arkitekt, profesionist, prind, qytetar, dhe njeri me dinjitet.

Kam pasur rast ta njoh përtej skenës. Flori është zotni në sjellje, i matur në fjalë, me humor fin e shpesh të thellë, dhe me bindjen e fortë se ky vend mund të bëhet më i mirë.

Tani Flori guxon edhe një herë, jo për një rol të ri, por për një përgjegjësi të madhe.
Dhe në një kohë ku politika është kthyer në teatër, ndoshta na duhet një artist i ndershëm, që ta kthejë Tiranën sërish në qytet, jo në skenë mashtrimi.

Unë do të kisha dëshirë që Flori të bindte Ermal Hasimen, Florian Haçkajn, Edlira Çepanin, e ndonjë tjetër figurë të Tiranës, për të qënë nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, e së bashku të arrinin të qeveresinin Tiranën. Dhe Tirana t’i takonte qytetarëve. Unë nuk e besoj që Flori do vjedhë taksat e qyetarëve, sikundër nuk e besoj se këtë e bën Ermali, Edlira dhe Flor Haçkaj. Dhe ky mekanizëm, mendoj se do ishte garancia që të gjithë të besojnë se Tirana mund të qeveriset me drejtësi, pa vjedhje, pa mashtrime etj.