Ballina Kosovë Kuvendi konstituohet pas 8 muajsh, nis rruga për Qeverinë e re mes...

Kuvendi konstituohet pas 8 muajsh, nis rruga për Qeverinë e re mes diskutimeve për votimin e Rashiqit

162
0

Pas më shumë se tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova më në fund ka një Kuvend të konstituuar me kryetar dhe nënkryetarë të zgjedhur, çka hap rrugën për hapat e radhës në formimin e institucioneve të reja.

Me konstituimin e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani mund të emërojë tani mandatarin për formimin e Qeverisë së re, ashtu siç parashikohet me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

Në këtë rast, mandati për formimin e Qeverisë i takon koalicionit fitues Lëvizjes Vetëvendosje, e cila garoi në bashkëpunim me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën. Ky koalicion duhet të propozojë një kabinet që të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse, për të marrë votëbesimin.

Vetëvendosje ka fituar 48 ulëse në zgjedhje, ndaj për të formuar shumicën i nevojitet një partner koalicioni.

Nëse brenda afatit ligjor qeveria e propozuar nuk arrin të marrë shumicën në Kuvend, presidentja është e detyruar që brenda dhjetë ditësh të thërrasë partitë për konsultime dhe të emërojë një mandatar tjetër që ka më shumë gjasa të sigurojë mbështetjen e nevojshme. Mandatari ka pastaj 15 ditë për të paraqitur përbërjen e kabinetit në Kuvend.

Në rast të dështimit edhe të përpjekjes së dytë, Kushtetuta e obligon Presidenten që të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Megjithatë, procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka kaluar pa polemika. Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb ka nxitur debat mbi legjitimitetin e procedurës së ndjekur.

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, ka shprehur dyshime nëse zgjedhja e Rashiqit ishte në përputhje me rregullat kushtetuese dhe procedurale.

“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i ‘shortit’ nuk ka mundur të aktivizohet”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, thirri procedurën e shortit për të mundësuar propozimin e Nenad Rashiqit, pasi kandidatët e Listës Serbe dështuan të zgjidhen dhe deputeti Igor Simiq nuk e propozoi Rashiqin si kandidat alternativ.

“Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës,” shtoi Krasniqi.

Mbetet për t’u parë nëse ky zhvillim do të çojë në ankesa formale dhe si do të reflektojë mbi procesin e mëtejshëm të formimit të institucioneve.