Një juri e madhe federale në Virxhinia ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, për mashtrim bankar dhe deklarata të rreme ndaj një institucioni financiar.
Prokurorja amerikane për Distriktin Lindor të Virxhinisë, Lindsey Halligan, tha se James përballet me deri në 30 vite burgim për secilin akuzë, deri në 1 milion dollarë gjobë për secilën akuzë dhe konfiskim pasurie nëse shpallet fajtore.
“Askush nuk është mbi ligjin. Akuzat, siç paraqiten në këtë rast, përfaqësojnë veprime kriminale të qëllimshme dhe shkelje të mëdha të besimit publik,” tha Halligan. “Faktet dhe ligji në këtë rast janë të qartë, dhe ne do të vazhdojmë t’i ndjekim ato për të siguruar që të vihet para drejtësisë”.
Në një deklaratë, James tha se akuzat janë pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për “hakmarrje politike me çdo çmim.”
“Vendimi i tij për të shkarkuar një Prokuror të Shteteve të Bashkuara, që refuzoi të ngrinte akuza kundër meje — dhe për ta zëvendësuar me dikë që është besnik i verbër, jo ndaj ligjit, por ndaj presidentit — është në kundërshtim me parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar vendi ynë,” tha James.
“Ky është momenti që udhëheqësit nga të dyja anët e spektrit politik të ngrihen dhe të flasin kundër këtij shtrembërimi të hapur të sistemit tonë të drejtësisë. Unë qëndroj fuqishëm pas proceseve gjyqësore të zyrës sime kundër Organizatës Trump. Ne zhvilluam një hetim dyvjeçar të bazuar në fakte dhe prova — jo në politikë. Gjykatësit kanë mbështetur vendimin e gjykatës së shkallës së parë se Donald Trump, kompania e tij dhe dy djemtë e tij janë përgjegjës për mashtrim”.
Në fillim të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë hapi një hetim ndaj James për mashtrim hipotekor të dyshuar, pasi James fitoi me sukses një çështje civile vitin e kaluar kundër Trump dhe Organizatës së tij Trump për pretendime mbi praktika të pasakta biznesi.
Në një letër, Drejtori i Financave të Banesave Federale, Bill Pulte, pretendoi se James mund të ketë kryer mashtrim hipotekor duke bërë deklarata të rreme ose mashtruese mbi regjistrat e pronave, si një aplikim kredie ku thuhej se prona e saj në Virxhinia është vendbanimi i saj kryesor, një regjistër ndërtimi që gabimisht tregon se prona e saj multifamiljare në Brooklyn ka pesë njësi banimi në vend të katër, dhe një aplikim hipotekor që pretendonte se James ishte bashkëshortja e babait të saj.
Në shtator, një bankier i specializuar në banesa dhe financa, i njohur me hetimin ndaj James, i tha Fox News se ajo po hetohet për, të paktën një rast, deklarimin e një prone investimi që ajo zotëron si vendbanimin e saj kryesor ose dytësor, gjë që do t’i siguronte kushte më të favorshme kredie.
James, një demokrate në mandat të dytë, ka mohuar çdo shkelje. Ajo më parë kishte thënë se kishte bërë një gabim gjatë plotësimit të një formulari lidhur me blerjen e shtëpisë, por e kishte korrigjuar atë. Ajo theksoi se kurrë nuk kishte tentuar të mashtrojë huadhënësin.
Paraqitja e parë e James është caktuar për 24 tetor në Norfolk, Virxhinia, para Gjykatësit Magjistrat Douglas E. Miller. Akuza e së enjtes erdhi dy javë pasi ish-drejtori i FBI, James Comey u akuzua për mashtrim ndaj Kongresit.







