Prej ditësh qarkullon lajmi se një prej galerive më të njohura në Gjermani ka nënshkruar kontratë me Edi Ramën për të promovuar artin e tij.
Por ndërkohë, kritikët thonë se kjo është vetëm një përpjekje për të pastruar imazhin e tij pas skandaleve korruptive.
Gazeta britanike ‘The Times’ shkruan se në kuadër të kësaj kontrate, Rama do hapë një ekspozitë personale në prill të vitit që vjen në Berlin.
“Puna e Ramës si artist është vënë në qendër të vëmendjes, pasi një galeri e madhe gjermane nënshkroi kontratë me politikanin për të promovuar artin e tij. Galeria Société e Berlinit njoftoi se e kishte shtuar Ramën, i cili ka ekspozuar në Bienalen e Venedikut tre herë, në listën e saj prej dy duzinash artistësh”, shkruan gazeta.
Sipas saj, kjo përpjekje artistike e Ramës do i japë atij pak frymëmarrje pas kritikave politike. Gazeta thekson se Edi Rama sulmoi ashpër drejtësinë pas arrestimit të Erion Veliajt, duke marrë kritika nga një trupë e mbikëqyrjes gjyqësore.
Ndërkohë kritika ndaj tij ka edhe prej artistëve.
“Armando Lulaj, një artist bashkëkohor dhe kritik prej kohësh i Ramës, e quajti artin e kryeministrit “propagandë për të lustruar imazhin e tij”, duke e akuzuar atë për shtypjen e kundërshtimeve në art duke u mohuar fondet publike kritikëve.
“Ai përdor artin e tij për të bindur botën se është një i majtë i sofistikuar, i rehatuar në sallonet intelektuale,” tha Lulaj.
Ermal Hasimja, një komentator i njohur politik shqiptar dhe kundërshtar i Ramës, tha për kryeministrin: “Ai pëlqen të shihet si artist … dhe pëlqen të tërheqë vëmendje”,” shkruan gazeta.