Ballina Dossier Mars 1991: Kur qeveria Nano diskutonte si të mbronte 100 vilat e...

Mars 1991: Kur qeveria Nano diskutonte si të mbronte 100 vilat e shtetit, jo si t’ua kthente pronarëve që iu morën nga diktatura

66
0

Në prag të zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të drejtuar nga kryeministri i qeverisë së përkohshme Fatos Nano, ndër të tjera u diskutua se çfarë do të bëhej me rreth 100 vilat qeveritare, tashmë që Shqipëria ishte hapur dhe kishte nevojë për rezidenca diplomatike dhe qeveritare për përfaqësues të huaj në vend.

Ajo që bie në sy në diskutimet e kryeministrit Nano, zëvendëskryeministrit Shkëlqim Cani, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe funksionarëve të tjerë të lartë, është mendësia e ruajtjes së kontrollit shtetëror mbi pasuritë publike, edhe pse sistemi socialist ishte në shpërbërje. Diskutimet mes Fatos Nanos, Shkëlqim Canit, Kino Buxhelit, Aleks Luarasit dhe zyrtarëve të tjerë nuk përqendrohen në kthimin e pronësisë, por në mënyrën se si të menaxhoheshin dhe të përfitoheshin ekonomikisht rreth 100 vilat qeveritare që kishin mbetur si rezidenca shtetërore.

Në vend që të shqyrtohej kthimi i tyre te pronarët e ligjshëm, u diskutua mbi përdorimin e tyre nga diplomatë, përfaqësi të huaja dhe afatistë, duke i trajtuar si kapital shtetëror. Duket qartë se konceptet dhe mentaliteti i vazhdimësisë socialiste mbizotëronte: prona konsiderohej pjesë e kontrollit shtetëror dhe çdo përdorim privat shihej si marrëdhënie kontraktore e përkohshme, jo si pronësi reale.

Në mbledhje mbizotëroi mendimi për t’i kthyer këto vila në burim fitimi për shtetin, përmes qirasë, parapagimit dhe investimeve të huaja, duke ruajtur në çdo rast zotërimin publik. Shkëlqim Cani dhe Qemal Disha argumentojnë mbi termat teknikë të “kaparit”, “qirasë tremujore” dhe “marrëdhënieve kontraktore”, çka tregon se shteti po përgatitej për ekonominë e tregut, por pa u dorëzuar ndaj parimit të privatizimit.

Në bisedë u shfaq edhe dimensioni urbanistik dhe ideologjik i tranzicionit: vilat e vjetra pranë qendrës së Tiranës përmenden si truall i vlefshëm për ndërtimin e pallateve të reja. Fundi i regjimit u konceptua me idenë e “modernizimit” përmes prishjes së pronës private, vilave të vjetra të Tiranës, për t’i zëvendësuar me ndërtime kolektive, pallate 6-katëshe. Logjika e shtetit socialist vazhdonte të perceptonte pronën individuale si pengesë për zhvillim, ndërsa trualli shihej si mjet për riorganizim urban e jo si trashëgimi ligjore dhe urbane që duhej ruajtur, rikonstruktuar dhe kthyer në objekte historiko-urbanistike të Tiranës së vjetër.

Në plan më të gjerë, procesverbali dëshmon për mungesën e reflektimit politik dhe moral mbi pronësinë private. Çështja e drejtësisë pronësore nuk përmendet fare, edhe pse Shqipëria ndodhej në prag të pluralizmit real. Burokracia shtetërore kërkonte të përjetësonte kontrollin e centralizuar, duke e maskuar atë me terminologji të re ekonomike si “kontratë”, “investim”, apo “reciprocitet diplomatik”.

Mbledhja qeveritare është një dëshmi e qartë e kalimit pa ndryshim, një moment ku sistemi i vjetër kërkon të vetëpërshtatet brenda rregullave të reja, duke ruajtur thelbin e tij kontrollues. Ndërsa vendi përgatitej për zgjedhje demokratike, pushteti ende fliste në gjuhën e burokracisë socialiste, me synimin për të ruajtur pasuritë e shtetit si simbol të vazhdimësisë së tij politike./vna

 

Mars 1991: Kur qeveria Nano diskutonte si të mbronte 100 vilat e shtetit,