Pedagogia e Universitetit Luarasi, Denisa Kele, ka folur për librin e saj të fundit të titulluar “Gruaja që nuk flinte kurrë”, në një intervistë për News24, duke theksuar fokusin te forca e gruas dhe sfidat e saj jetësore.
“Shkrimi është pasioni im i madh. Jam fokusuar te gruaja dhe forca e saj. Mendoj se shumë vajza do të gjejnë veten te libri. Ato vajza që jetojnë në një ambient ku u mësohet se nuk vlejnë nëse nuk shërbejnë të tjerët, do të kuptojnë mesazhin që dua të sjell,” tha Kele.
Libri përfshin monologje të brendshme të personazhit kryesor, Sofisë, ku ajo reflekton mbi vetveten dhe premtimet e fëmijërisë: “Pjesa e bukur është si vajza e vogël brenda saj i tërheq veshin dhe i thotë si mundesh të harrosh premtimet që kemi pasur. Ato janë mesazhe shumë të forta që besoj se shumë nga ne duhet t’i ndjejnë,” shtoi Kele.
Në faqet e librit, Kele eksploron marrëdhëniet me prindërit dhe partnerët, duke treguar se edhe dhimbja nga mungesa e babait mund të krijojë një cikël vicioz: “Rolin e babait e ka justifikuar dhe brenda vetes edhe e ka urryer për ato që ai nuk i mësoi për jetën, veten dhe marrëdhëniet më pas. Nga raporti me bashkëshortin, ajo urrente versionin që bashkëshorti e detyronte të ishte. Por edhe në rastin e Sofisë, momenti kur ti fal është momenti ku mund të rifillosh të rindërtosh veten sipas asaj që ishte destinuar të jesh.”







