Ballina Politika Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin: Pse u refuzua Beleri për t’u betuar

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin: Pse u refuzua Beleri për t’u betuar

22
0

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur arsyetimin e vendimit që nuk lejoi Alfred Belerin të marrë leje të posaçme nga burgu, me qëllim betimin si kryebashkiak i Himarës.

Në verdiktin e datës 3 prill, Kushtetuesja vendosi të mos kalojë në seancë plenare ankimin e bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili vijon të jetë në qelitë e paraburgimit, duke lënë të pandryshuar përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që i refuzoi Belerit kërkesën për leje të veçantë.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ankimi individual në këtë gjykatë është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Belerit në 3 janar 2024, në një kohë që diskutimi për lejen për t’u betuar nuk ishte shqyrtuar ende në Gjykatën e Posaçme. Për këtë fakt, Kushtetuesja arsyeton se pretendimi i Belerit se e drejta e tij për t’u zgjedhur mund të vihej në vend vetëm përmes ankimit indidivual kushtetues nuk qëndronte.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, përsa kohë Beleri kishte nisur një proces gjyqësor pranë gjykatave të juridiksionit të zakonshëm me të njëjtin objekt, pra kundërshtimin e vendimit të Drejtorisë së Burgjeve, pretendimet e tij mund t’i nënshtroheshin kontrollit kushtetues veç pas përfundimit të procesit të nisur në këto gjykata. Në këtë linjë arsyetimi, duke konsideruar se Beleri nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike para se t’i drejtohet Kushtetueses, kjo gjykatë ka vlerësuar se ankimi i tij nuk mund të kalonte në seancë plenare.

Nga ana tjetër, në përballjen gjyqësore për leje për t’u betuar si kryebashkiak, Beleri mori përgjigje negative në të tre shkallët e gjykimit. Aktualisht, Beleri po vuan një dënim me 2 vjet burg dhënë nga Shkalla e Parë për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.