Ballina Europë Për herë të parë pas tre dekadash, ‘ethet afrikane të derrave’ rikthehen...

Për herë të parë pas tre dekadash, ‘ethet afrikane të derrave’ rikthehen në Spanjë, zbulohet shkaku i shpërthimit të virusit

11
0

Spanja është goditur nga shpërthimi i parë i etheve afrikane të derrave pas më shumë se tre dekadash, duke ngritur shqetësime serioze për industrinë shumë miliardë euro të eksportit të mishit të derrit.

Virusi u identifikua për herë të parë më 26 nëntor, pasi dy derra të egër u gjetën të ngordhur pranë Universitetit Autonom të Barcelonës në Bellaterra. Testet laboratorike konfirmuan se bëhej fjalë për ethet afrikane të derrave, rasti i parë në territorin spanjoll që nga viti 1994.

Situata u përshkallëzua shpejt, pasi brenda orësh u gjetën edhe tetë trupa të tjerë derri në malet Collserola, në veri të Barcelonës. Dhjetëra kafshë të tjera të ngordhura janë aktualisht në analizë ndërsa zona e kontrollit po zgjerohet.

Autoritetet katalanase reaguan menjëherë, duke kërkuar ndërhyrjen e Njësisë Ushtarake të Emergjencave. 117 efektivë mbërritën në zonë me pajisje speciale, përfshi dronë, stacione dekontaminimi dhe ekipe për kapjen e derrave të egër.

Parku natyror i Collserola-s është mbyllur për publikun, ndërsa një perimetër prej gjashtë kilometrash po kontrollohet me rrjetë matëse prej 300 metrash. Korridoret e kafshëve të egra janë bllokuar me gardhe dhe barriera kimike për të parandaluar përhapjen.

Sipas ministrit rajonal të bujqësisë, Oscar Ordeig, “një përqindje e konsiderueshme e PBB-së” së rajonit është në rrezik nëse eksportet e mishit të derrit pezullohen.

Hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sanduiç i hedhur që përmbante mish të kuruar të infektuar. Dyshohet se virusi është transportuar nga kamionët që përdorin zonat e shërbimit pranë autostradës dhe është konsumuar nga një derr i egër.

Të gjithë derrat e infektuar pritet të ngordhin natyrshëm, ndërsa çdo kafshë që mbijeton brenda zonës së izoluar do të eliminohet për të ndaluar përhapjen.

Brenda rrezes gjashtë kilometrash ndodhen 39 ferma derrash; deri më tani të gjitha kanë rezultuar të pafekuara.

Edhe pse sëmundja nuk përbën rrezik për njerëzit dhe nuk transmetohet përmes konsumimit të mishit të derrit, tregjet ndërkombëtare kanë reaguar negativisht ndaj lajmit.

Qeveria spanjolle ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve, duke aktivizuar protokollet e detyrueshme të sëmundjeve të kategori A. Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar rritjen e kontrolleve të biosigurisë në të gjitha fermat dhe në rrugët e transportit të bagëtive.

Rajoni i Andaluzisë po monitoron me vëmendje situatën, pasi qytete si Marbella, Mijas dhe Fuengirola kanë një densitet të lartë derrash të egër të urbanizuar, të cilët ushqehen shpesh në kazanët e plehrave – një faktor që, sipas ekspertëve, mund ta bëjë kontrollin shumë më të vështirë.

Fokusi kryesor i autoriteteve mbetet parandalimi i depërtimit të virusit në fermat komerciale. Edhe një rast i vetëm do të mjaftonte për të përjashtuar Spanjën nga tregjet jashtë BE-së brenda natës.