Ballina Aktualitet Punime pa plan/ Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës izoloi komunitetet përreth

Punime pa plan/ Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës izoloi komunitetet përreth

41
0

Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës nisi si një plan që do t’i mundësonte Tiranës një lidhje më të shpejtë me aeroportin e Rinasit dhe bregdetin. Por projekti po zhvillohet në kurriz të mijëra këmbësorëve që e përdorin çdo ditë këtë rrugë.

Heqja e katër prej shtatë mbikalimeve ka izoluar komunitete të tëra në Kashar, Fushë-Kashar dhe Yzberisht, duke i detyruar qytetarët të ecin dhjetëra minuta për të shkuar në punë apo dhe për shërbimet bazë.

Projekti prej miliarda lekësh, i ndarë në disa faza dhe shoqëruar me kritika për mungesë konkurrence, ekspozon boshllëqet e planifikimit urban dhe mungesën e një strategjie afatgjatë për lëvizjen e sigurt.

Në këtë terren të brishtë, neglizhenca institucionale po shndërrohet në barrë të përditshme për qytetarët.

Punimet u ndërlikuan jetën e këmbësorëve

Në shtator të vitit 2024 filloi jetëzimi i projektit për zgjerimin e rreth 6.5 kilometrave rrugë të superstradës nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit.

Projekti, i cili pritet të përfundojë përgjatë vitit 2027, ka si synim zgjerimin e rrugës për të reduktuar trafikun, por duket se ka harruar këmbësorët. Punimet kanë hequr mbikalimet duke ua vështirësuar përditshmërinë e banorëve anës rrugës.

Përgjatë këtij segmenti kanë qenë 7 mbikalime që përdoreshin nga këmbësorët për të arritur në stacionet e transportit publik, vendet e punës, ose për të marrë shërbimet e tjera.

Zgjerimi i rrugës, ka hequr momentalisht 4 mbikalime duke i detyruar qytetarët të përshkojnë distanca të gjata në këmbë për të plotësuar nevojat e përditshme.

Mungesa e përgjegjshmërisë në planifikimin urban në të cilin do të duhej të merreshin parasysh të gjitha nevojat e përdoruesve të rrugës, ka sjellë si pasojë lindjen e këtij problemi të ri. Pasi dy anët e zonës në fjalë kanë të përqendruara aktivitetet industriale dhe të sipërmarrjeve më të mëdha në vend, në të cilat janë të punësuar mijëra punonjës.

“Mëngjes për mëngjes [punëtorët] duhet të kalojnë peripecitë e kalimit të kësaj autostrade ku asgjë s’është bërë përsa i përket të drejtave të këmbësorëve,” thotë Kacani, sipas së cilit heqja e mbikalimeve ka vënë në vështirësi edhe banorët.

Mbikalimet që janë hequr përdoreshin nga këmbësorët për të kaluar mbi superstradë në nyjet që lidhin rrugët dytësore industriale dhe stacionet e urbanit Vorë-Tiranë.

Më konkretisht ato shërbenin për t’iu qasur stacioneve të Katundit të Ri, Domjes, Yrshekut dhe Mëzezës në pika të njohura kryesisht prej sipërmarrjeve që janë aty pranë si: “PSZ Albania”, “QTU”, “Coca Cola” dhe “Vodafone Albania”.

Më të prekurit nga heqja e mbikalimeve janë banorët e Kasharit, si Fushë-Kashari dhe Yzberisht.

Mbikalimet qenë vendosur në këto pika për shkak se përballë tyre ka shkolla, universitete, ndërmarrje, fabrika dhe magazina.

Heqja e tyre i ka detyruar punëtorët dhe studentët, të ecin kryesisht mbi 30 minuta në këmbë drejt mbikalimit më të afërm.

“Është e nevojshme të krijohen korsi të dedikuara, hapësira të dedikuara vetëm për këmbësorët, kryesisht nënkalime të sigurta nga përmbyjtjet apo siguria rrugore,” analizoi urbanisti Kacani.

Sipas tij zona ka një gërshetim mes industrisë, banimit dhe bujqësisë duke e bërë të detyrueshëm një infrastrukturë më gjithëpërfshirëse.

Myslym Fera, nga Kamza, prej tre vitesh punon në njërin prej bizneseve në rrugën dytësore të Katundit të ri në Kashar. Ai shprehet i shqetësuar për heqjen e mbikalimeve, sepse e detyrojnë të përshkojë distanca më të gjata duke e detyruar të ecë me bicikletë 20 minuta më tepër për në mbikalimin më të afërt që ndodhet në domje,konkretisht përballë “BMW Albania”.

“Kam kaluar atje sipër te mbikalimi i ‘Coca Cola’-s, tani vij dhe kaloj këtu dhe shkoj prapë lart. Vonohem gjysmë ore. Më duket se do ta heqin edhe këtë, e kanë lënë përkohësisht.” u shpreh Fera.

Autoriteti Rrugor Shqiptar tha për Citizens.al se është menduar vendosja e mbikalimeve të reja në pothuaj të njëjtat pozicione që kanë qenë ekzistueset, por nuk tregoi se kur do të rivendosen ato, duke mos iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve që kanë të drejtë ta përdorin rrugën.

“[…] mbikalimet janë hequr për shkak se pengonin realizimin e punimeve në këtë objekt. Gjatë fazës së kryerjes së punimeve nuk ka një plan menaxhimi për lëvizjen e këmbësoreve për të mos futur në kolaps trafikun dhe ecurinë e punimeve” tha ARRSH.

“I kanë marrë në qafë. Gjithë kjo zonë të izolohet?! Unë e kam punën thuajse te QTU-ja, e bëj rrugën dy herë se do të shkoj e do të kthehem prapë në këmbë,” tregoi Bujari, i cili banon në Kashar.

Heqja e katër mbikalimeve në fazën e parë është tregues që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me tre mbikalimet ekzistuese në vijimin e punimeve.

“Hoqën atë lart, e hoqën te QTU-ja, hoqën këtë aty poshtë, si do të shkojnë këta njerëz, a kanë orar? Edhe ata kanë familje, janë gra me fëmijë. Gjithë Yrsheku janë gra me fëmijë, shkojnë të shkretat në shi e në të ftohtë, po vjen dimri,” tha me shqetësim për Citizens.al një pensioniste, banore e Kasharit e cila shtoi se “për popullin nuk mendon njeri”.

Qeveria pa plane urbanistike afatgjata

Punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës nisën gjatë vitit 2024. Ato u përqendruan nga kthesa e Kamzës deri në nyjën e Kasharit, për këtë segment punimet janë ndarë në tre faza.

Rreth 1.7 miliardë lekë u vunë në dispozicion nga buxheti i shtetit për fazën e parë, e cila u fitua nga “Bami Holding” në bashkëpunim me “Curri shpk”.

Faza e dytë u fitua nga një tjetër ortakëri: Elmazaj Konstruksion”, “Nderimi shpk” dhe “Ndregjoni”. Edhe kjo fazë kishte thuajse të njëjtin fond limit: rreth 1.7 miliardë lekë.

Financimi për fazën e tretë u rrit ndjeshëm, duke arritur afro 2.5 miliardë lekë – 50% më shumë se fondi i fazave të para dhe parashikon ndërtimin e një nyje lidhëse në Laknas me superstradën Tiranë-Durrës. Kompania që u kontraktua për këto punime ishte “Alb-Building shpk”.

Platforma e Openprocurement.al – një projekt i Institutit Shqiptar të Shkencës (AIS) – i ka vlerësuar këto procedura tenderuese me flamuj të kuq, për shkak se në të tria rastet ofertat më të ulëta janë skualifikuar.

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe tha për Citizens.al se ndërtimi i konstruksioneve metalike që shërbejnë si mbikalime duhet të ishte menduar që prej fillimit të punimeve.

“[…] një pjesë e qytetarëve mund të kenë dhe nga krahu majtë dhe nga krahu djathtë i rrugës pjesë të pronave,” kujtoi ndër të tjera arsye për të pasur mbikalime eksperti rrugor Sulçe

Gjatë inspektimit në kantierin e aksit rrugor Tiranë-Durrës, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se për superstradën është i nevojshëm “një mur dekorativ” ose “një lloj ndarëse dekorative”.

Ky koment i tiji konfirmon sërish se planifikimi urban nuk është i qëndrueshëm në Shqipëri. Ai varet ose nga interesat e sipërmarrësve të mëdhenj në vend, ose nga vetë shijet e kryeministrit.

Zhvillimi i Tiranës si një qytet amorf, është përhapur si model në qytetet e tjera kryesore të vendit si Durrësi, Vlora, Shkodra etj.

Heqja e mbikalimeve në Kashar është një detaj i vogël në këtë amulli zhvillimi urban, por që tregon qartë vështirësitë me të cilat përballen qytetarët.

Pa një planifikim të qartë dhe afatgjatë, çdo investim publik rrezikon të kthehet në shpërdorim, e gjitha në kurriz të taksapaguesve, të cilët vuajnë edhe pasoja direkte në përditshmërinë e tyre./ Citizens.al