Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se gjatë muajve korrik, tetor dhe nëntor të këtij viti ka vjedhur materiale dhe sende të ndryshme në 5 automjete dhe 1 subjekt që iu ka thyer xhamat. Gjithashtu, Geraldo Zeneli, ka vjedhur 2 biçikleta përgjatë muajit nëntor.
Në kuadër të operacionit “The thief”, policia ka vënë në pranga edhe 48-vjeçarin Gëzim Cani, i cili blinte materialet e vjedhura nga 34-vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimeve nga disa drejtues automjetesh/subjekte, për vjedhjen e materialeve dhe sendeve të një vlere të konsiderueshme nga automjetet e tyre apo subjekte, pas thyerjes së xhamave, bazuar dhe në informacionet e marrë në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The thief”.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit G. Z., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe G. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi G. Z, në muajt korrik, tetor dhe nëntor ka vjedhur materiale dhe sende të ndryshme në 5 automjete dhe 1 subjekt që iu ka thyer xhamat, në lagje të ndryshme, të cilat më pas ja shiste shtetasit G. C.
Gjithashtu, shtetasi G. Z, në datat 20.11.2025 dhe 29.11.2025, ka vjedhur 2 biçikleta.
Gjatë kontrollit të banesës së 48-vjeçarit, shërbimet e Policisë e sekuestruan disa prej materialeve të vjedhura.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer nga 34-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







