Një shpërthim ka ndodhur në një bar në Crans-Montana , një vendpushim i famshëm skijimi në Zvicër , ku fatkeqësisht kanë humbur jetën 10 persona ndërkohë shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas mediave vendase mësohet se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, rreth orës 01:30, në barin Le Constellation, i cili frekuentohet nga turistët gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Pas shpërthimit, në objekt shpërtheu edhe një zjarr i madh, i cili u vu nën kontroll disa orë më vonë nga zjarrfikësit. Pamjet e publikuara nga mediat zvicerane tregojnë ndërtesën të përfshirë nga flakët.
“Të paktën 10 të vdekur”, raportojnë mediat, megjithatë thuhet se numri mund të jetë edhe më i lartë, me një burim anonim nga RhoneFM që flet për 40 persona. Ekipet e shpëtimit, shumë ambulanca dhe automjete të zjarrfikësve kanë nxituar në vendngjarje, ndërsa janë pezulluar fluturimet në atë zonë.
Gazeta zvicerane Blick raporton se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të përdorur gjatë koncertin të fundvitit ku kishin marrë pjesë mbi 400 persona, por policia deri më tani nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e tragjedisë.







