Ballina Ekonomia Zbardhet vendimi: Bashkitë do të vendosin tavan për çmimet e shezlongëve, edhe...

Zbardhet vendimi: Bashkitë do të vendosin tavan për çmimet e shezlongëve, edhe plazhet publike bëhen me pagesë

38
0

Qeveria ka miratuar ndryshime rrënjësore në rregulloren për stacionet e plazhit, duke u dhënë kompetenca të reja bashkive për të kontrolluar çmimet e shezlongëve dhe duke krijuar një kategori të re plazhesh publike. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, që ndryshon rregulloren e vitit 2024, sjell rregulla më të rrepta për sezonin e ardhshëm veror, duke përfshirë në hartën e turizmit edhe lumenjtë, krahas detit dhe liqeneve.

Çmime tavan për shezlongët

Për herë të parë, Këshillat Bashkiakë do të kenë të drejtën të vendosin “çmime tavan” përpara fillimit të sezonit. Vendimi parashikon që “bashkia mund të miratojë çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare, të cilat do të shërbejnë si kufi për subjektet private”.

Nëse Këshilli Bashkiak nuk merr vendim, çmimi maksimal do të negociohet mes bashkisë dhe privatit në momentin e lidhjes së kontratës.

“Çmimet maksimale të dakordësuara bëhen pjesë detyruese e kontratës dhe nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë sezonit. Tejkalimi i tyre përbën shkelje dhe shkak për zgjidhjen e kontratës,” thuhet në vendim.

Kategori e re, plazh publik me pagesë nga Bashkia

Vendimi krijon një koncept të ri: “Plazh publik i tarifuar nga NJVV-ja”. Këto janë zona plazhi që do të administrohen direkt nga Bashkia (ose ndërmarrjet e saj) dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, por me kushte sigurie dhe higjiene të garantuara.

Risia është se këto plazhe ndalohet t’i jepen privatit. Pra, bashkia nuk mund t’i kontraktojë apo delegojë te të tretët, duke shmangur kështu abuzimet me hapësirat publike.

Rregulla për investitorët strategjikë dhe zhurmat

Një tjetër pikë e rëndësishme prek “Investitorët Strategjikë”. Ata do të kenë përparësi për stacion plazhi, por me një kusht të panegociueshëm: e drejta e përdorimit të plazhit fillon vetëm pasi të jetë vënë në funksion struktura akomoduese (hoteli/resorti).

Kjo masë synon të frenojë zaptimin e plazheve nga kantiere ndërtimi apo projekte të papërfunduara. Gjithashtu, bashkitë detyrohen të publikojnë hartën e zhurmave për secilin plazh para fillimit të sezonit.

Përjashtimet për bizneset pa hotele

Vendimi liston disa zona specifike ku subjektet mund të kenë stacion plazhi (maksimumi 50 çadra) edhe nëse nuk kanë hotel, por vetëm restorant/bar. Kjo vlen për plazhe si: Zvërnec, Plazhi i Vjetër (Vlorë), Spille, Vilë-Bashtovë, Gjiri i Lalzit, Currila, Porto-Romano (Durrës), Borsh, Llaman, Lukovë (Himarë) dhe Rrjoll (Shkodër).

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për monitorimin e zbatimit të tij.